true-detective-hboE keni parë Woody Harrelsonin tek ‘Cheers’? Është ndër rolet e para në serial televiziv, dhe ndër më të këndshmet në tërë karrierën e tij. Si fans i Woody Harrelson, nuk mund të lë të më ik, së paku jo episodi i parë i këtij seriali.

Drama që vjen në formën e antologjisë nga HBO, sjell dy detektiv që mesa duket do të sjell vetëm një rast gjatë tërë sezonit të parë prej 10 episodeve. Është një rast që duket se ka të bëj me një kult, përdhunim i çuditshëm, dhe i shkallës më të lartë – për këtë edhe ka rejting +18 dhe kërkon maturitet nga shikuesit, si për shkak të pamjes, ashtu edhe për shkak të elementeve tematike.

Së bashku me Woody Harrleson, vjen edhe Matthew McConaughey. Derisa karakteri i Woodyt është një detektiv normal, karakteri i Matthew vjen si një detektiv ekscentrik, krejt e kundërta e Woodyt. I pari ka familje, jetë e punë normale, i dyti duket se i ka pasur të gjitha këto, por tani nuk ka as TV e as nuk e njeh guvernatorin e shtetit të tyre.

Ngjarja ndodh në Teksas diku, diçka që përshtatet për mrekulli me aksentin e të dyve. Një krim i çuditshëm, i rëndë ka shastisur jo vetëm banorët lokal. Duket se ka të bëj me një vrasës serik, apo edhe kult. Tashti, episodi i parë nuk jep shumë detaje për shtjellimin e ngjarjes. Në fakt ka vetëm detaje sipërfaqësore për krimin në fjalë, që premton se episodet vijuese nuk do të jenë të kota.

Dy detektivët vijnë si në intervistë para kamerave të detektivëve disa vite pas ndodhisë në fjalë. Të dy japin pikëpamjet e tyre si për krimin, si për njëri tjetrin. Pra, kemi një lëvizje në kohë në film, disa vite para kur këta dy, tashmë në moshë rrëfejnë për krimin dhe marrëdhënien e tyre profesionale. Episodi i parë shërben si një njoftim themelor me temën, karakteret, dhe ngjarjen.

Ka një regji të shkëlqyeshme, fotografi të bukur, skenar interesant. Tema nuk është e kotë, përkundrazi gjithnjë shkon duke u thelluar dhe njëkohësisht thjeshtësuar. Të lë të kërkosh më shumë dhe të kthehesh përsëri.

Unë do të kthehem, në mos rregullisht, dikur patjetër për të përfunduar nëntë episodet e mbetura. E nëse ju keni çfarëdo joshjeje ndaj aktrimit të Harrelson, apo McConaughey, apo edhe ndaj serialeve me temë mister, krim, e triler, atëherë duhet të shihni patjetër këtë serial, së paku pilotin, pastaj vendosni vet.

Nota personale për pilot episodin: 9/10

Luan Morina
Kritik për TV