Ngjashëm si intro-kënga që me kalimin e episodeve vetëm sa merr formën më të përkryer të tekstit dhe interpretimit, derisa shtohet edhe repertori i kolonës zanore të këtij sezoni, ashtu edhe zhvillohet, qartësohet, dhe mbyllet ngjarja dhe lidhja e karaktereve kryesore të tregimit në Vinci.
Duhet të qartësoj dy gjëra para se të vazhdoj me këtë recensim:
- Sezoni i parë mbetet më i mirë për disa arsye që do të shpjegohen më poshtë
- Ky recensim përmban spoilera dhe NUK duhet të lexohet nga ata që nuk e kanë përfunduar akoma
Tashti, siç e dini, ngjarja zhvillohet në lokacionin e trilluar të quajtur Vinci. Gjithçka nis kur karakteri i Taylor Kitsch – Woodrugh gjen Ben Casperen të vdekur, dhe të lënë përskaj rrugës, ndër të tjera pa sy. Bezzerides (Rachel McAdams) dhe Velcoro (Colin Farrell) angazhohen në hetimin e kësaj ngjarjeje, për të krijuar një trekëndësh me secilën brinjë të tij që ka histori të njollosur dhe të tashme të komplikuar. Kjo histori do të shtjellohet veçmas për secilin për tu bashkuar në një tregim që lidhet përkryer ashtu siç lidhen edhe karakteret me kalimin e kohës/episodeve.
Episodi i parë është i ‘dobët’, por hiq më i mirë nuk ka qenë as i pari i sezonit të kaluar. Edhe ky shërben si një njohje fillestare me karakteret, siç e ceka më lart ndaras.
Tashti, skenari për secilin prej tyre më ka pëlqyer. Ka misterin dhe trilerin e nevojshëm për të na mbajtur të lidhur me ta deri në fund. Tregimet e secilit, përfshirë edhe Ray përfundojnë ashtu siç nisin, veçmas. Velcoro në pyll, Woodrugh nën tokë, Frank në shkretëtirë, dhe Bezzerides në det. Është një ndarje me kahje paralele për të përfunduar një tregim që do të dilte më ndryshe, edhe me fund të lumtur (më të lumtur) sikur të mos ishte krijuar nga Nic Pizzolato.
Kur jemi tek Pizzolato, duhet të pranojmë që po shfaq aftësi sipërore në skenar. Pos shkrimit të bukur, shtjellimit të tregimeve, vazhdimisht kemi edhe dialogë të mrekullueshëm. E vërtetë që ky sezon është më pak filozofik dhe më shumë realist, por të bësh diçka të këtillë për një vit, nuk është edhe aq lehtë. Pos skenarit, sezoni nuk mbetet mbrapa as për kah regjia, sidomos kinematografia. Kemi skena të bukura, të mahnitshme, disa prej të cilave edhe kalojnë në sureale. Mbi të gjitha është intro e serialit që pos këngës magjepsëse ka edhe një grafikë që të ngop sytë.
Ka pasur shumë zhgënjim që nga konfirmimi i Farrell si njëri nga karakteret kryesore, e pastaj konfirmimi i Vaughn sikur hodhi në fund të bunarit shpresat për një sezon sikur i pari. Siç e përmenda më lart, edhe skenari, edhe aktrimi janë pak më inferior se sezoni i parë. Gjithashtu sezoni i kaluar ka sjell atë freskinë që sjellin serialet e reja. Freski dhe kënaqësi që nuk mund të tejkalohet kurrë (pos nëse është Game of Thrones). Por, aktrimi, mua personalisht, nuk më ka zhgënjyer aspak.
Colin Farrell për merak e bën punën e tij. Mishërohet me karakterin e tij të një babai që nuk është i sigurt për atësinë e tij. Ndoshta edhe e tepron pak me lidhjet e tij me të birin. Por, kah fundi e kuptojmë arsyen për sjelljen e tij, siç racionalizohen të gjitha karakteret tjera. Më së shumti skena, më të mirat i ka me Vince Vaughn. Nuk ka shumë kohë që pashë ‘Wedding Crashers’. Nëse shohim shumë komedi të Vaughn, dhe pastaj shohim aktrimin e tij tek ‘True Detective’ mund të vërejmë që megjithatë ky ka talent për aktrim. Edhe atë talent bajagi të mirë. Përkundër mangësisë në përvojë për portretizimin e karaktereve të këtilla, ai bën një punë të shkëlqyeshme. Ka disa palë nëpër skena përpos Velcoroso, por mbi të gjitha, ajo që më ka shkuar nerva, ndoshta edhe e vetmja pjesë negative nga tërë ky sezon ka qenë karakteri i Kelly Reilly. Oh, nuk ka pasur skenë që nuk më ka shkuar nerva ajo. Nuk e ka pasur fajin dialogu, ndoshta, por aktrimi i saj ka qenë shumë ‘cheesy’. Sikur shtynte ngjarjen kah romancat klishe, derisa të gjithë ne vijmë për të parë trilerin që ofron seriali. I vetmi faktor negativ ka qenë Reilly.
Edhe Rachel McAdams, edhe Taylor Kitsch kanë përfituar respektin tonë në tituj të mëparshëm filmik. Këtu vetëm sa e kanë përforcuar (tek rrallëkush/askush nuk kanë humbur) këtë respekt për talentin e tyre prej aktorësh. Më ka pëlqyer aktrimi i McAdams si një femër në një botë meshkujsh. Ka një qëndrim kryeneç që e ka shpirë në pozitën ku është, për të mirë e për të keq. Ndërkohë Kitsch, karakteri i tij sjell, inkuadron në tregim edhe atë pjesën e luftës, të një veterani, dhe historitë e tyre për jetën në paqe. Është një temë që mendoj se nuk shtjellohet sa duhet nëpër kinematografinë amerikane përkundër titujve si ‘American Sniper’ dhe ‘The Hurt Locker’.
Kasti dytësor nuk ka qenë dëshpërues. Sidomos në episodet e fundit me shfaqjen e karaktereve kryesore që kanë qenë në hije, kjo pjesë e kastit nuk na dëshpëron.
Na mungon filozovia dhe surealiteti i sezonit të parë, por aftësitë dhe talenti i producentëve, skenaristëve nuk ka munguar. Plagosja e Velcoros, vdekja e Frankut, janë dy nga skenat më të mira sureale të këtij sezoni. Pra, talenti është, por ndoshta qëllimisht kanë dashur të mbajnë serialin më real.
Në përgjithësi sezoni i dytë i ‘True Detective’ është një punë e mirë, e kënaqshme, me një skenar të mrekullueshëm, dhe aktrim të shkëlqyeshëm, që ngjashëm si tregimi i karaktereve kryesore, mishërohen për qejf. Nota personale 5/5