Categories
Televizioni

TV debatet

Padyshim që debatet politike në televizionet tona janë programet më të shpeshta, pas lajmeve dhe serialeve turke. Por, rrallë ose më mirë themi kurrë nuk ka arritur ti bashkoj askush liderët politikë në një tavolinë që tu përgjigjen pyetjeve të moderatorëve të njohur në televizionet tona si Adriatik Kelmendi e Jeta Xharra. Të dy kanë provuar të bënin këtë në fushatën e fundit parazgjedhore, por me zor nuk mund të sjellën politikanët në studiot e tyre. Për më tepër në disa raste, njerëzit që kanë deleguara ata kanë qenë nënçmim për ata pak liderë që kanë pranuar të jenë në debat. Sigurisht që populli do të dëshironte ti shihte liderët e mbledhur në një tavolinë dhe të jepnin vizionet e tyre të qarta për tema që i preokupojnë qytetarët e jo të kapen për vegëza të thara nga përmendja e vazhdueshme e liderëve. Një veti që shprehet qartë tek liderët partiak është se nuk përtojnë asnjëherë të jenë mysafirë individual në debate, edhe pse disa prej tyre hezitojnë të jenë mysafirë në disa emisione të caktuara, ose më thjesht në disa emisione që mendojnë se mund të “ngushtohen” nga moderatori. Shembullin më të mirë kemi mungesën e kryeministrit në Rubikon për tu përballur me Adriatik Kelmendin, një “agjërim” që ka zgjatur më shumë se dy vite. Por, duhet të cek që gjatë gjashtë muajve të kaluar ka qenë mysafir dy herë në Rubikon, dhe “është mbajtur goxha mirë”. Në anën tjetër Jeta Xharra ka rralluar intervistat direkte dhe nuk e di datën e fundit kur ka qenë kryeministri mysafirë në Jeta në Kosovë. Në anën tjetër Adriatik Kelmendi zakonisht u ofron së paku 2 intervista brenda 12 muajve liderëve të partive dhe institucioneve, që mendoj se mjaftojnë për publikun.

Por, ajo që nuk po arrijnë të bëjnë akoma as Adriatik Kelmendi, as Jeta Xharra, e as moderatorët tjerë është të mbledhin të gjithë liderët në një tryezë. Dhe nëse akoma janë duke u munduar ta bëjnë këtë, e kam një sugjerim për ta, që do të ju kursej kohë. Kushtetuta! Tashti që janë duke provuar të ndryshojnë nene të kushtetutës do të ishte më se e mirëseardhur, dhe e mençur që të futet ndonjë nen që do të detyronte të gjithë kandidatët për president (jo “zëdhënësit” e tyre, që në fakt janë njerëz që mendojnë se kanë aftësi më të mëdha në marrëdhënie publikun, e ky fakt rrallëherë qëndron) të marrin pjesë në së paku një debat me kundërkandidatët tjerë në kanalet tona kombëtare, që për momentin janë tre. Kjo nuk është risi. Në fakt vetëm tek ne shqiptarët, ndoshta edhe tek ballkanasit tjerë mungon. Rasti më i freskët janë zgjedhjet për kandidatin republikan për president në SHBA. Ata nuk kanë nevojë për nene kushtetuese sikur ne këtu që të dalin para publikut, por janë të detyruar të promovojnë planet e tyre, strategjinë, ofertën e tyre. Ndoshta neve shqiptarëve nuk na interesojnë këto punë, por disave, edhe në qoftë se janë një pakicë minimale ju interesojnë. Këto debate do të rezultonin me një pasqyrë më të qartë të liderëve që do tu mundësonte qytetarëve të reflektonin mirë mbi votat e tyre.

Në mos me kushtetutë, atëherë rruga e vetme mbetet të intervenojnë tek Delli, sepse vetëm ai duket se ka fuqinë për ti ulur me një tryezë liderët kosovarë, të cilët siç duket frikësohen të përballen me njëri-tjetrin në fytyrë të popullit.

Luan Morina

Kritik për TV&Film në

Telekomanda.com

Botuar ne gazeten Zeri