Categories
Milan

Shyqyr që ishte Parma

Sepse po të ishte ndonjë skuadër tjetër do të na shkatërronte. Ishte një lojë pa kurrfarë koncepti, pa kurrfarë ideje. Çfarë mund të nxjerrim pozitive nga ndeshja me Parmën?

Ishte një gol i hatashëm, ndoshta më i miri i këtij sezoni edhe pse është mjaft herët. Gjuajtjet e Pirlos shpesh janë fatale, dhe kjo ishte një edhe më e mirë se të zakonshmet. Gol për të na çmendur. Pra, kjo ishte e tëra pozitive nga kjo ndeshje. Në rregull, si pozitive mund të konsiderojmë edhe qëndrueshmërinë e sedorfit për 90 minuta lojë! Kjo bëhet edhe më pozitive kur marrim parasysh faktin se ai luajti 85 minuta kundër Ajaksit, dhe atë vetëm para tri dite.

Pasi nuk kam bërë analizën për ndeshjen me Ajaksin, do të përmend këtu përshtypjet e mija edhe nga ajo ndeshje. Dhe falemnderit të gjithëve që lexoni dhe komentoni kolumnen ditari i një milanisti në ACMilan-Shqip dhe Shqipmedia. Çmoj tej mase komentet tuaja.

Kështu, Abiati nuk ka treguar formë stabile këto ndeshjet e para, por megjithatë nuk është diçka që mund të gaboj kur nuk e prit. Ka patur disa gabime që kanë mundur të jenë fatale për ne, dhe nuk mund të harroj jo gatishmërinë e tij tek gjuajtja e Kapuanos. Po të ishte më i vëmendshëm do të pritej ajo gjuajtje, dhe Milan do të ishte i pari në tabelë. Si gjithnjë nuk ja vlen të kthehemi prapa. Tani thuhet se është lënduar, dhe ndoshta mund të kthehet për dy javë, por edhe nëse i jepet rasti Amelias nuk do të ishte diçka negative. Unë konsideroj Amelian si shumë më të gjallë se Abiati.

Në dy ndeshjet e fundit, njëri nga ata që mendoja se mund të ishte shtyllë në formacionin e Milanit dështoi. Zambrota nuk e ka më fluiditetin që kishte më parë. Shumë herë ka humbur topin gjatë udhëheqjes së tij kundër Ajaksit. Gjithashtu po vuan edhe derisa po kthehet në mbrojtje. Antonini po luan mirë kohëve të fundit. ishte një goditje e rëndë nga Bozhinov, por nuk besoj se do ta mbaj gjatë jashtë fushës, edhe pse nuk kam dëgjuar ndonjë informatë për të.

Nesta dështoi ndaj Ajaksit. Nuk ka faj ai, ishte Suarez ai që po shkëlqen jo vetëm kundër Milanit, por në përgjithësi. Kam përmendur për aftësinë e këtij futbollisti në artikullin Robotët e futbollit. Ai është një yll që do të bëj emër në historinë e futbollit gjatë viteve të ardhshme. Duhet të kuptojmë që edhe Nesta është plakur, dhe nuk është ai i vjetri. Akoma është duke dhënë maksimumin, por mos të harrojmë ka patur një periudhë të rëndë me lëndime. Shumicës iu kujtohet kur flitej për largimin e tij nga futbolli për shkak të lëndimeve.

Tiago Silva po shkëlqen dhe dalëngadalë po merr një rol dominues në mbrojtje. Një rol të liderit që do ta ketë pas largimit të Nestas, që nuk mendoj se do të luaj më shumë se edhe një sezonë tjetër. Nuk na nevojitet edhe një Favalli.

Pirlo ka shënuar një gol fantastik kundër Parmës. Edhe vitin e kaluar kishte shënuar një gol kundër Realit, një fanta-gol. Pas atij goli ndaj Parmës dukej sikur u ringjall, vraponte pas topit, qarkullonte topin, dhe bënte gjëra të mira. Por, jo gjëra të shkëlqyera siç presim nga ai. Nejse përpos golit. Ndaj Ajaksit ka bërë një gabim që shumica nuk e konsiderojnë të rëndësishëm, por po të ishte më i shkathtë dhe të pasonte më herët kur ndali një sulm të Ajaksit, dhe të mos mbështjellte lojën, ndoshta do të kishim shënuar.

Gatuzo po shkëlqen. Përsëri është ai i vjetri, ai luftaraku që nuk ndalet tërë lojën. Disa deklarata të tij për Leonardon nuk janë për tu lavdëruar. Nuk flitet ashtu pasi të largohet trajnerin, nëse ke diçka e thua në sy, dhe e diskuton. Ky është edhe një sinjal tjetër për Allegrin nga e ashtuquajtura “estradë” që e kam përmendur më herët në këtë kolumnë. Kjo do të ndikoj në përzgjedhjet e Allegrit për formacionin, sidomos pas kthimit të Ambrosinit. Çfarë do të ndodh me Boatengun e Flaminin?!

Sedorf është plakur, dhe nuk e ka idenë për këtë. Kalon një mbrojtës të Ajaksit, mendja e tij kthehet 10 vite pas, dhe tenton të kaloj edhe tjetrin në hyrje të zonës së Ajaksit, por mbrojtësi e kthen në realitet. Realitetin e hidhur. Edhe diçka për Allegrin. Sedorf dhe Pirlo, nuk funksionojnë së bashku, aq më pak kur luan Ronaldinjo. Kundër Ajaksit funksionuan pasi Sedorf ishte mesfushorë ofanziv, pas Ibrës dhe Robinjos, por jo ndaj Parmës.

Dhe kur ke rezultat pozitiv ndaj Parmës, në minutat e fundit largon Gatuzon, e fut Boatengun, ndërsa Sedorf akoma është në lojë. Në vend që të futet Boateng ose Flamini në vend të Sedorf, dhe së bashku me Gatuzon të mbështesin mbrojtjen, ai largon Gatuzon. Shyqyr që ishte Parma, sepse po të ishte Realin, do të na rrahte.

Robinjo humbi shumë raste ndaj Ajaksit, por një gjë pozitive është se ai po lëviz në fushë. Po gjen hapësirë të lirë, po qarkullon topin, por po ngec në realizim, në udhëheqjen e topit, dhe në përgjithësi në përshtatjen me skuadër. Tani që është kthyer Pato, Robinjon do ta ketë më të vështirë.

Ibra po na shpëton. Ai mund të bëj shumë më tepër, por jo vetëm, duhet ta ndihmojnë. Humbi disa raste ndaj Parmës, por shyqyr që ishte Parma e fituam.

Ronaldinjo akoma ka kreativitetin e tij. U pa ndaj Parmës se di të bëj gjëra të habitshme mu atëherë kur nuk i pret ato. Por, përsëri ishte Parma, që nuk dua ta nënçmojë, por nuk është e të njëjtin nivel me Realin, Barsën, e Interin.

Diçka e veçantë që po ngec është realizimi nga rivëniet nga këndi. Kur është hera e fundit që kemi goditur në portë, ose kemi shënuar nga kornerat herën e fundit. Ndaj Leçes ku në atë tollovinë shënoi Tiago Silva. Vitin e kaluar kemi qenë shumë më të suksesshëm. Iu kujtohet dy golëshi i Nestës ndaj Kievos (nëse nuk gabohem), dhe disa gola të Silvas. E këtë vit e kemi edhe gjiganti Ibrahimoviç, dhe akoma nuk po arrijmë të shënojmë.

Pas dy javë pushimi fillon periudha më e vështirë e sezonit. Për dy javë ndeshemi dy herë me Realin, udhëtojmë në Napoli (ku nuk kemi fituar ka kohë, 1998’ta), presim Juventusin, dhe pastaj Realin. Nëse asgjë, shpresoj për suksesin e vitit të kaluar, 4 pikë ndaj Realit, dhe 4 në Serie A. Mjaftojnë për të na mbajtur të gjallë në të dyja frontet.

Luan Morina

Kolumna Ditari i një milanisti