Categories
Sport

Un été française (Një verë franceze)

  1. Tyrkjëllmazi

Ka qenë e shtune. E dyta e qershorit më duket. Vapë. Për një dhjetë vjeçar ishte ndjenjë e veçantë të shihja kampionatin e parë evropian. Anglia me Sheringem dhe Shirer në sulm priste Zvicrën. Derisa për kombëtaren nga Ishulli e dija formacionin, shumicën, tek Zvicra vetëm një emër më kishte rënë në sy ishte Tyrkjëllmaz.

Ishte një turk që luante për Zvicrën, dhe kjo paraqiste një paradoks për mua duke ditur se për dallim prej neve Turqia kishte kombëtaren e vet, e cila do të pësonte pak ditë më vonë me golin e zëvendësuesit kroat, Goran Vlaovic, i cili s’do të bënte asgjë më të madhe me karrierën e tij. Dhe për çudi Tyrkjëllmaz arriti të shënonte nga penalltia, pak para se të mbyllej ndeshja. Ngjashëm si në oborrin tonë, edhe në Uemblli, në një qiell pa fije resh ishte një diell që digjte.

  1. Anglia

Ishte mister për një fëmijë që kishte dëgjuar se futbolli kishte lindur në Angli, e të mos shihte Anglinë në kualifikimet për Euro96. Pozita e saj gjeografike për një fëmijë që kishte kapur jo më shumë se dy herë hartën e Evropës në dorë, e bënte të dyshonte se ndoshta Anglia luan në kualifikime për kampionatin amerikan. Apo që ndoshta janë të dënuar!

Si fans i Milanit, për fillim ishte Italia që kishte rolin e kombëtares time. Humbja kundër Brazilit ishte e dhimbshme. Në Euro96, lojërat e Anglisë më linin përshtypje, gjithnjë ndihmuar nga fakti si themelues të kësaj loje të bukur. I ndikuar nga dajallarët, kishim ndjerë pak dashuri edhe për Turqinë.

Me lindjen e kanaleve private në Maqedoni të cilat ritransmetonin programet e TVSH-së arritëm të shohim për herë të parë kombëtaren shqiptare. Rrakli, Tare, Vata, Strakosha, kanë qenë ndër të parët që kemi parë. Dhe derisa gjithnjë shihnim e përkrahnim kombëtaren gjatë kualifikimeve nga largësia, edhe duke parë vetëm renditjet dhe rezultatet në telekest e gazeta, me të ardhur vera duhej të nisnim kërkimin për kombëtare tjera, më të fuqishme për ti përkrahur dhe për të kaluar një verë më të ngazëllyer.

  1. E diela

Nga kjo e diele, hulumtimi për kombëtare tjera ka përfunduar. Verën e ardhshme edhe po nuk u kualifikua Turqia, edhe po të mos ishin Anglia, e Italia, s’do të mërzitem. Verën e ardhshme (kismet) kemi për kë për të bërtitur. Edhe pse nuk pres ndonjë sukses, së paku më vjen mirë që fëmijët tani kanë kombëtare të suksesshme, kombëtare që u bënë verën më interesant. Gëzohem që fëmijët e të gjithë ne nuk do të jemi të detyruar të bëjmë tifo për kombëtare tjera.

Të enjten, në supermarket pahiri në të kaluar dëgjova një konsumatorë duke konsultuar gruan në telefon se çfarë mungon për ndeshjen e sotme. Tjetri i mori edhe katër flamujt e fundit të Shqipërisë që ishin harxhuar gjatë ditës. Nëpër mediat shoqërore nuk kishte temë tjetër.

Kjo është atmosferë e një populli që e do futbollin, që e do kombëtaren. Dashurinë që ka për futboll, më në fund po shpaguhet me sukseset e kombëtares.

E meritojmë çdo sukses, sado minimal të jetë. Le të shpresojmë dhe të urojmë që do të mbesim mysafirë të rregullt të këtyre ngjarjeve.

Urime!