Categories
Filma

Us (2019) – Recensim

Jordan Peele kishte mahnitur të gjithë me ‘Get Out’ që ishte një nga filmat e rrallë horror (dhe veror) që seriozisht konsiderohej për Oskar. Kjo nuk do të ngjajë me ‘Us’.

Ndonëse titulli ‘Us’ mund të komentohet e kuptohet gjerësisht në disa dimensione nisur nga ‘ne racistët’, ‘ne afrikano-amerikanët’, ‘Amerika,’ vet filmi nuk i afrohet, pa marrë parasysh sa tenton, kreativitetit dhe realizimit të ‘Get Out’. Disi mbetet në hije të atij suksesi Jordan Peele.

Filmi ndjek një familje në pushime bregdetare, të cilat pushime kthehen në kaos kur shfaqen një grup i personave që ngjajnë në pamje me ta, dhe nisin t’i terrorizojnë. Është përshkrimi zyrtar që vjen pas një hyrjeje të shkurtër në lidhje me historinë e karakterit kryesor në këtë film, Adelaiden. Portretizuar nga Lupita Nyong’o është karakteri nga sytë e të cilit edhe ne shikuesit përcjellim ngjarjet, gjersa frikësohemi njëkohësisht.

Karakteret dytësore, dy fëmijët e saj dhe bashkëshorti, kanë secili nga një veçanti ndryshe prej tjetrit. Në vajzën e saj kemi një mini-Adelaide, i biri është nga të çuditshmit, gjersa burri nga të padurueshmit. Karakteri i Winston Duke, (M’Baku tek Avengers dhe Black Panther) është nervë-prishës me ‘freskinë’ e mbi të gjitha shakatë e tija që as nuk vijnë në kohë të duhur, e as nuk janë komike. Elisabeth Moss e Tim Heidecker janë në rolet e miqve të tyre të cilët përjetojnë të njëjtin tmerr sikur Wilsonët.

Problem tek filmi mund të jetë kohështrirja e cila këputet në raste gjersa vazhdon të ndiqet nga të njëjtit antagonistë. Gjithashtu përqendrohen në momente të panevojshme më tepër se që duhet, gjersa humb në trajtim vet tregimi. Tregimi duket të jetë interesant, po të ishte lidhur fillimi me fundin më mirë. Por, këtu ka dështuar Peele, e më shumë me suksesin e filmit të kaluar.

Nuk është ‘Get Out’, e ndoshta iu pëlqen fansave të këtij zhanri, në të cilët unë nuk bëj pjesë. Por, megjithatë mbetet shumë zbraztë ndërmjet fillimit e fundit. Pjesa më e mirë mbetet titulli i filmit. Nota personale: 3/5