Categories
Journal

Vallëzimi

Nuk flet. Jo më. Pasi admiron aksentin e dy burrave që flasin, dhe mbi të gjitha qëndrimin e tyre, nis të zhytet në bisedën e tyre nga këndi i ynë.

Ngjashëm edhe unë. Vërtetë të kënaq ky rrëfim. Bisedës së tyre i bashkohet edhe vajza, e folura e të cilës na bën të qeshim lehtë.

E paramendoj buzëqeshjen e saj të lehtë. Të ëmbël. Por, nuk kthehem ta shoh në fytyrë nga frikë se do të ndjej parehati. Vazhdojmë të përcjellim bisedën që zhvillohet e lëviz jo aq shpejtë, jo aq ngadalë. Profesorët po shtyhen, Eliza po vuan. Tashmë jemi thellë në rrëfim, Eliza nis të këndon.

Ndjej të lëviz kokën edhe ajo. Ka nisur të ndjej ritmin. Buzëqeshi në vete. Nuk ka gjë më të mirë se dikush që do kaq shumë të dojë të njëjtën gjë që edhe ti do. Akoma kam sytë kah Eliza. E rindjej për Zoti e di të satën herë këtë këngë. Akoma nuk ka ardhur më e mira.

Thotë rreshtat e pjesës së dytë në vete. Lëviz buzët, një zë i hollë provon të dal, ama mban veten. Kthehem ta shoh. Nuk ndjen parehati më, është zhytur thellë në film. reflektimi bie në sytë e saj që ndriçojnë me zjarr dashurie. Tash e di zjarrin që fsheh sa herë ul sytë kur e shikoj në sy. Admiroj këtë shikimin të saj. Gojëhapur e përcjell në kor Elizën. Edhe një dozë kënaqësie më mbush zemrën me lumturinë e saj.

Ecim rrugës. Është mbrëmje. Ka një qetësi vere, një freski në ajër që nuk kujton ato netët e ferrit. Flet e flet për filmin. Tregon për detajet, për dashurinë në film, e në të për filmin. Për karakteret. Për gjuhën. Për këngët. Nis të bëzaj, të thotë ato fjalë që tashmë ka gjetur e ka mësuar përmendsh në moment që ka lëshuar kinemanë.

I could have daaaaanced all niiiight
And still have begged for mooooore
I could have spreaaaaaad my wiiiiiings
And done a thousaaaand things
I’ve never done beforeeeee…

Nuk mundet të mbaj veten. Nis të vallëzoj në rrugë. Nuk i bën për të tjerët. Lëshon krahët që të kujton ‘The Sound of Music’. Vazhdon të përsërit refrenin. I vallëzon shpirti. Zemra. ‘I could have dance all niiiiiiight….’

Më zgjat dorën. Nis të vallëzoj, të rrotullohet si një balerinë. Mbyll sytë, sikur ndjen një siguri në shtrëngimin tim. E lë veten të vallëzoj. Këndon. I këndon shpirti, i vallëzon shpirti. Nuk e mban më brenda.

Derisa shoh këtë engjëll të këndoj, të vallëzoj, para syve të mi, ndjej frymën që merr nisjen në lukth e më freskon gjoksin para se të dal. Frymën që sikur bart tutje retë për të lëshuar diellin të ngroh me dashuri zemrën.

E mbaj për dore derisa vallëzon. Është shtrëngim që i premton se do ta mbaj përgjithmonë. Edhe ajo e di këtë. Vallëzon sikur asnjëherë më parë. Vallëzon siç do të vallëzoj tërë jetën e saj.

p.s. kjo n’foto osht Alicia Vikander, ky tekst (s)osht i shkrum për to, filmi në fjalë osht ‘My Fair Lady’, kanga në fjalë osht ‘I Could Have Dance All Night’