Categories
Journal

Vdekja e Kosovës

Një popull pa art është popull i vdekur!

Te Maniakë të Muzikës, dy postime kanë dominu këtë vikend:

– Kaçurrelja nga Duka

– Ni kangë e dikujt të quajtur Enca

E para ka qenë adaptim i kangës së Muharrem Qenës, nga një femijë goxha simpatik. E dyta, ka qenë e refuzuar disa herë për shkak të pamjeve eksplicite për të cilat Facebooku jep vërejte (hala e kam nga postimi i 365dni verën e kaluar tek Filmat).

Qysh e ka adet me ba nostalgjia, edhe kësaj here më çoi ne YouTube, edhe masanej algoritmi i YouTube, që me njeh ma mirë se shpija jeme, nuk më lëshoi për bajagi do kohë.

Gjatë këtij lundrimi nëpër klasikët kosovar, vërejta një dukuri të çuditshme – nuk gjeta asgja klasike që më bënte ta largoja menjëherë. Dhe, mendova nëse do të ishte e mundur të gjeja diçka të tillë. Sidoqoftë, e lashë për ndonjë herë tjetër këtë mision.

Pastaj u përditësova dhe shkova tek hiti i fundit i pasluftës që më ka pëlqyer. Përfundova në Kopshtin e Kushtrimit edhe Hanës! Qaq.

Mixhën Ramë nuk e mbajë në mend, po e kam pa masanej në YouTube, 15 vite mas fjalëve të para që kam dëgju për të. I kam pa edhe do skeçe të Treshit Përsheshit, e edhe disa filma klasik kosovar.

Vendosa m’i krahasu edhe këto me 20 vitet e fundit.

Ka pasë ide të mira, seri të mira, programe të mira të pasluftës. Masanej, sidomos mas pavarësisë, gjithçka u bo bërllog. Ndoshta që u ndalën ndihmat e përkrahjet, dhe filloi kapitalizmi, biznesi me media, me art.

Arti nuk është dhe kurrë s’do të jetë biznes.

Arti vlerësohet nga populli, nga kultura dhe edukata e një populli që ka për artin.

Ne nuk kemi as edukatë e as arsimim për art.

Ne, thjesht sikur ajo shprehja ‘monkey see, monkey do’, qeshim kur të qeshin ata në televizor, ani pse nuk ka kurrfarë nevoje për të qeshur.

Dhe për këtë, nuk kemi faj ne që qeshim.

Për këtë ka faj Millosheviqi. Një milion kosovarë të dëbuar, dhjetëra mijëra të vrarë, mijëra të zhdukur, mijëra të gjymtuar. Dhe krejt këto, nuk janë pasojat më të rënda që ka pasur ky popull nga krimet e tija.

Shkaku i tij, 30 e kusur vite pas fjalimit famëkeq, me ndihmën indirekte të shumë shpirtkëqijve shqipfolës, sot kemi një popull pa kulturë, pa art, një turmë njerëzish që vlerësojnë vetëm paranë, ushqimin, dhe cullakhanen!

Ne jemi kafshë!

Dhe kjo politikë e Millosheviqit po vazhdon edhe sot, bile më mirë se sa që ai do të kishte mundur ta bënte!

“Mediat”!

Mediat, sot janë biznes që mbështeten në mungesën e inteligjencës dhe kulturës së popullit tonë duke ofruar bërllog, çdo ditë e natë, në televizione e portale, për përfitime personale!

Sigurisht, e mbrojnë veten që janë biznes dhe duhet të mbijetojnë.

Njëjtë edhe Millosheviqi e mbronte veten duke thënë që duhej ta mbronte popullin serb!

Mediat nuk janë biznes. Për biznes, hap ndërmarrje tregtare, edhe fito paratë.

Mediat si propagandë janë arma më e keqe që shkatërron shpirtin e një populli.

Ne sot jemi vetëm kafshë që konsumojmë rrena, ushqime të pashëndetshme, cullakhane, zhurmë, dhe ‘evente’ snobiste – shtatëjavorin e fëmijëve, të cilët si pleqtë i postojmë nëpër internet për të marrë llajka dhe mbushur egon tonë; dasma e para-dasma, syneti e para-syneti, pa thelb, pa substancë.

Ne vetëm se jemi kafshë.

Ne nuk mendojmë, nuk analizojmë ato që na servohen të gatshme, por ngajmë të kundërshtojmë njëri-tjetrin.

Ne jemi të gjithëdijshëm, por edhe njoftimet për diplomime i kemi me gabime amatoreske drejtshkrimore.

Ne jemi pellazgët, arbëreshët, ilirët, shqiptarët, por nuk dimë si të rendojmë, e lëre më pak veçoritë tjera të këtyre civilizimeve.

Në fakt, ne nuk jemi asgjë.

Jemi popull pa art, pa kulturë.

Jemi popull që jetojmë, por shpirtin e kemi të vdekur!

Na e kanë vrarë!

Dhe e kemi pasur, edhe shpirtin, edhe artin, edhe artistët.

Por të gjitha kanë vdekur, për ironi, me vdekjen e Jugosllavisë!

Demonstratat e para kosovare, ndonëse të vonshme kanë qenë për hapjen e shkollave shtesë, e pastaj për autonominë e zgjeruar/republikë.

Masat e para të dhunshme të kryekasapit të Ballkanit kanë larguar nga shkolla kosovarët, e pastaj kanë vijuar masat tjera.

Artin e njëmendtë kosovarët e kanë pasur nën komunizmin e ish-Jugosllavisë. Artistët më të mëdhenj të popullit kanë lindur e janë formësuar në kohën e komunizmit.

Si arti, edhe artistët, kanë vdekur në mjerim, në Kosovën e pavarur dhe demokratike! Atëherë kur të gjithë kemi pritur një rilindje të artit, por kemi marrë tallava, muzikë e seriale të bazuara rreth cullakhanes e nënkuptimeve seksuale.

Të mjerët na!