Mu kujtua një shkrim i para 6 viteve botuar në Borozani (tash TopSporti), rreth mosgatishmërisë së diasporës për të përzgjedhur Kosovën.

E kemi kthyer në një lloj tradite që çdo herë kur ka sukses Shqipëria apo Zvicra, të fillohet një kampanjë që Kosova nuk duhet të ekzistojë, sepse qysh ka thanë Skënderbeu “forca bën fuqinë”?!

Prej thirrjeve të “Valon magjupi” kur Zvicra luante me Shqipërinë në kualifikimet e dekadës së kaluar, nëpër injorimin e Kosovës, deri te “vëllazërorja” e sotme. Nganjëherë kameleoni më duket i dobët karshi aftësisë së popullit tonë për të ndërruar mendjen!

Dhe një popull ku shumica nuk kanë një princip, një ide, nuk pritet më shumë se sa të ndërrojë mendjen e pavendosur dhe të filloj një debat të kotë në çdo afat kombëtaresh.

Uh, kombëtarja, ja edhe një temë e “nxehtë”!

Racizmin dhe shovinizmin e kemi në palcë dhe nuk jemi të vetëdijshëm për këtë! E kjo më së shumti del në pah tek ky term “kombëtare”.

Nga “Valon magjupi” menjëherë kthehemi me një “shqiponje” dhe i bëjmë hero.

Asgjë nuk tregon më mirë se ky transformim dobësinë intelektuale e shpirtërore të dikujt. Asnjëra nga të dyja nuk duhet të ekzistojnë. Por, është një vijë e hollë që ndanë shovinizmin dhe patriotizmin tonë. Në fakt, janë e njëjta gjë.

Sot po e quajmë “vëllazërore” e pas një kohe do të fillojmë të shajmë Zvicrën dhe krejt shqiptarët që luajnë për Zvicrën. Ndoshta sonte pas ndeshjes, varësisht nga rezultati.

Zvicra ka pasur edhe turq, serb, e të huaj të tjerë në kombëtaren e tyre. kombëtare që nuk përbëhet vetëm nga zviceranët, mos të harrojmë. Turqit nuk e kanë shpallur tradhtar asnjërin nga vëllezërit Yakin, Turkyilmazin, apo Gundoganin, Serdarin, e Ozilin. As popujt tjerë!

Por, ne jemi ndryshe.

Ne presim, ashtu siç presim familjarët e miqtë gjatë verës të na sjellin ndonjë ‘dhuratë’ nga diaspora e të na qerasin kafe e dreka, ashtu të na vijnë edhe lojtarët që janë rritur e zhvilluar në Zvicër.

Pastaj i shajmë e i quajmë tradhtar.

Ne, të cilët presim vizë për të lëshuar këtë vend ku nuk paguajmë tatimet, ku provojmë të vjedhim shtetin në çdo mundësi që na jepet, ku bërllogun e hedhim në mes të rrugës, e ku nuk kemi kurrfarë respektin për dikë tjetër!

Kjo “vëllazëria” me Zvicrën është e përkohshme. Ashtu siç “vëllazërohemi” me diasporën gjatë verës e festave të fundvitit. Në momentin që nuk na mbushin gushën, menjëherë i bëjmë “tradhtar” a çka po di!

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: