Categories
Filma

Venom (2018) – Recensim

Në fillim mendoja se fakti që isha mësuar ta shihja Tom Hardy në role më negative (nisur nga The Dark Knight Returns), dhe Riz Ahmedin në role më pozitive (The Night Of), ishte fajtore pse nuk mund të gjeja një interesim për të parë këtë film. Ndoshta edhe fakti që kisha parë ‘The Predator’ disa javë më parë! Por, shumë thjesht, ishte paaftësia për të ofruar diçka që do të lidhte shikuesin me tregimin. Së paku neve që kërkojmë diçka më shumë në tregim, jo vetëm kapje dhe ngrënie të njerëzve, shumica të pafajshëm.

E mira e filmit është që nuk i bën dy orë, dhe s’do të mund t’i bënte. Problemi është tek lopët shterpë të cilat vazhdojnë të milen duke provuar të japin një kuptim edhe tek karakteret më dytësore dhe me histori më minimale që kanë në MCU. Shifrat flasin për një sukses tjetër, dhe një vazhdim që do të vjen, ndoshta pas tri viteve.

Aktrimi i Tom Hardyt e Riz Ahmed, ndonëse në role të çuditshme për mua, ishte i mirë. Michelle Williams duket se vjen aty vetëm për të mbushur kuotën e femrave, dhe për një pjesë të cilën do e shihni pak pas gjysmës së filmit!

Skenari është i dobët, tepër i dobët. Tregimi është i këputur, dhe provon të zgjatet e tëhollohet sa më s’ka. Të kujton një çamçakëz të cilin e zgjat e zgjat, e zgjat për të mbetur pa shije në fund, pasi e ke ndarë me gjysmën e klasës gjatë pushimit ndërmjet Dituri Natyre e Edukatë Muzikore! Njëjtë edhe MCU me këto karaktere të cilat po mbushin arkat, ende!

Nuk është më i mirë se ‘The Predator,’ i cili siç e kam përmendur edhe tek recensimi i tij, ka substancë më shumë se ‘Venom’. E vetmja gjë e mirë tek ‘Venom’ është kënga e Eminemit. Paçi fat ta hiqni nga mendja tashti. Kam dëgjuar se çamçakëzi (sakëzi ma shqip) ndihmojnë! Varësisht prej komunës që jetoni, ndoshta e kanë hap rrugën deri tek supermarketi i parë. Më shumë ia vlen të ecni në këtë lloq deri tek marketi se sa të shikoni këtë film. Nota personale: 2/5