Categories
Filma

Vertigo (1958) – Recensim

Hitchcock + Stewart + një bionde = kryevepër

Disa vite më parë kam përmendur ‘Rear Window’ si një nga shumë kryeveprat e Alfred Hitchcockut! Shumë paralele të atij filmi do të mund të hidhnim, sipërfaqësisht, duke u bazuar në fjalinë e parë, me ‘Vertigo’.

Tek Vertigo, James Stewart luan rolin e një detektivi policor i cili gjatë një ndjekjeje të një krimineli mëson që vuan nga vertigo, në të cilin rast bëhet ‘sebep’ për vdekjen e policit në bashkëndjekje. Pas këtij aksidenti, ai pensionohet derisa provon të luftojë këtë të metë të tijën personale.

Të gjithë e njohim James Stewart si njërin nga aktorët më të dashur të Hollywoodit, gjithnjë në karaktere pozitive, por kjo do të ndryshojë në këtë film kur një mik nga e kaluara provon ta rikthejë nga pensioni duke i kërkuar që të përcjellë gruan e tij, për të cilën dyshon që është e pushtuar nga ‘magjia e zezë’.

Kjo grua është Kim Novak, e cila bashkë me James Stewart në rolin kryesor, kanë njërën nga harmonitë më madhështoret në film. Pothuajse i tërë filmi është i përqendruar në këto dy karaktere, të cilat jo vazhdimisht janë në të njëjtin ambient, e në të njëjtin dialog. Është sikur një lojë ndjekjeje, duke provuar të mos zbulojnë ‘misionet’ e tyre të fshehura. E kur kalojnë në të njëjtën skenë, aktrimi emocional i Stewart, dhe reagimi i të njëjtës shkallë nga ana e Novak, i japin jetë filmit bashkë me krejt pjesën teknike.

Në pjesën teknike, fotografia dhe kolona zanore janë të mahnitshme. Pastaj, kamera e Hitchcokut, është sikur krejt produktet e tija, shkollë për regjinë e filmbërjen. Shtrirja e skenarit, të cilin nuk dua ta ‘prishi’ duke shtuar detajet, e bën ‘Vertigon’ një super-film të zhanrit triler.

Ndonëse Hitchcockun e kam në të preferuarit, nuk mendoj që jam subjektiv kur them që ‘Vertigo’ është ndër filmat më të kompletuar të bërë ndonjëherë. Që nga skena e parë në kulm ndërtesash, filmi të thithë përbrenda ngjarjes, e cila të mbyllë nga bota e jashtme për ato dy orë sa zgjat filmi. Domethënë si zakonisht filmat e Hitchcockut. Nota personale: 5/5