Hana Bejker është bërë një heroinë për shumicën e njerëzve së fundit. Mund të vërehet qartë. Por, vetëvrasja nuk është zgjidhje. Është sëmundje, por jo zgjidhje. Është sëmundje që mund të shërohet.

Sado që errët mund të duket, sado që rrugët duket se kanë arritur në fund, gjithnjë ka hapësirë për gjëra të mira. Gjëra pozitive. Vetëm duhet ti kujtojmë. E kujtesa është e pabesë. Kujtimet janë të pabesa. Ato sjellin imazhet që dëshirojmë ti shohim në momente që dëshirojmë ti shohim. Dhe për të shmangur këtë ka një zgjidhje shumë të lehtë. Ditari!

Pak veta mbajnë ditar pasi duket diçka shumë fëmijërore. Pos fëmijërore, do të ishte diçka e mbushur me gjëra negative për dikë. Por, nëse arrijmë të jemi të sinqertë me ditarin, të shkruajmë të gjitha kujtimet e mira, dhe të këqija; për të gjithë njerëzit, ngjarjet, kohën, e gjithçka që na rrethon neve, do të del së paku një baraspeshë ndërmjet të bardhës dhe të zezës.

Gjithçka është kalimtare, si kohët e errëta si kohët e mira. Dhe si rrjedhojë kurrë s’duhet të merren vendime afatgjata duke marr në konsideratë faktorë të përkohshëm, kalimtar. Derisa shpeshherë dëshirojmë të zhdukemi, të fundosemi në gjumë, e të zgjohemi kur kemi të gjitha problemet e zgjidhura, provimet e kryera, llogarinë bankare të konsoliduar, këpucët e renditura, veturën e bukur, e të gjithë shoqërinë më të mirë afër. E disa vetëm dëshirojmë të zgjohen dhe të jenë të qetë. Të çliruar nga ankthi, depresioni, dhe dukuritë tjera që na lodhin. Por, kush është absolutisht i qetë? Qetësia është e mirë për disa çaste, disa orë. Një shëtitje në natyrë. Njëmbëdhjetë minutat e Boleros. Një episod i ‘Friends’. Një bisedë telefonike. Një kapitull i ‘Harry Potter’. Jeta është me momente. Dhe shumë prej tyre janë të bukura. Vetëm duhet ti rikujtojmë. Kanë ndodhur më parë. Do të ndodhin prapë.

Dhe në mesin e shumë momenteve të bukura janë edhe fjalët e Albus Urtimorit. ‘Lumturia mund të gjendet edhe në kohët më të errëta, vetëm duhet dikush të lëshoj dritën.’ Dikush u lëshon dritën juve, ju i lëshoni dikujt. E drita kurrë nuk ka rëndësinë më të madhe se sa në kohët më të errëta.

Ashtu siç dita ndryshon sipas stinëve – verës më shumë ditë, dimrit më shumë natë, ashtu është edhe me jetën. Disa ditë janë më të mira, disa janë më pak të mira. Por, ju si njerëz mund të ndryshoni këtë. Bëhuni dritë e dikujt. Bëhuni diell për dikë. Bëhuni hënë për dikë.

Jeta është e shenjtë.

Jeta është e mirë. 

 

 

Pasthënie

Për ankthin, depresionin, vetëvrasjen, e dukuritë tjera të ngjashme janë shkruar libra e janë bërë studime. Akoma pak ka dritë mbi to. Dhe derisa njerëz më kompetent duhet të merren me këtë punë, mungesa e njerëzve që flasin haptazi për këto probleme tek ne e klasifikon si një temë tabu.

Këto që kam shkruar janë vetëm nga pikëpamja e një pacienti më shumë se sa një mjeku profesionist. Për çkado serioze në lidhje me këto tema, gjëja më e mirë është të kontaktoni persona të kualifikuar për këtë temë. Ajo çfarë kam provuar të shkruaj është vetëm një bashkë-ndjejnë me të tjerët që janë prekur nga këto dukuri.

Kam përdorur termin ‘dukuri’ pasi po të përmendja në fillim ‘sëmundje psikike’ dyshoj që dikush do të vazhdonte të interesohej e të vazhdonte të lexonte. Personalisht nuk më pengon ta quaj edhe sëmundje, pasi sëmundje janë edhe gripat, edhe ftohjet, e edhe thyerjet e dorës. Të gjitha shërohen. Ngjashëm edhe sëmundjet psikike.

Burimet e këtij shkrimi janë bazuar kryesisht në eksperiencën time në ankth dhe depresion me të cilin isha diagnostifikuar vite pasi vetëm kisha filluar të ndjeja shenjat e para. Mesatarisht njerëzit presin dhjetë vite para se të kërkojnë ndihmë profesionale. Mos prisni kaq shumë nëse keni ndonjë shenjë.

Me vite kam krijuar miq që flasim në mënyrë konfidenciale për këto probleme. Nëse asgjë, jemi aty për njëri-tjetrin, dhe ndihma e tyre ka qenë e jashtëzakonshme, edhe pse indirekte në sajimin e këtij teksti. Historitë e tyre janë të shumta, dhe të ndryshme. Por, që të gjitha kanë shumë momente lumturie për të cilat ia vlen të jetohet një shekull.

Maji është muaji që i dedikohet sëmundjeve psikike në SHBA. Shërben për të njoftuar opinionin më shumë me këto dukuri. Shërben për të folur për to. Dhe e folmja nuk është ndoshta shërim, ilaç, ama në këtë rast është ndihmë tepër e madhe. Sa më shumë që flasim për to, aq më shumë ndihmojmë të tjerët.

Le të flasim edhe ne. Nuk është turp të ndihmojmë njëri-tjetrin, duke nisur nga vetvetja.