Categories
Journal

Vrasësit e natës

Përsëri në kulm!

Ke arritur të ngjitesh derisa ndërtesa po merrte flakën. Je më së larti, dhe tani pret të arrij flaka dhe të pjek dalëngadalë. Ke parë filma ku njerëzit digjen të gjallë. Nga Zhana e Arkës e deri tek Shirina e Stanisit! E di si do të ndjehesh. E di se do të digjet lëkura, do të ngufas tymi bashkë me aromën e pjekjes që të ka kënaqur shumë herë në jetë derisa pjekje qebapët. Porse kësaj radhe je ti që do të digjesh.

Shikon përreth dhe sheh vetëm ajër në të gjitha anët. Nuk ka ndërtesa më të mëdha, afër, ku do të provoje të kërceje. Jo kësaj radhe. Jo sonte. Sonte je vetëm. Ti dhe mjegulla. Edhe sikur të ishin, gati se kurrë nuk ke arritur të kërceje në to. Ke ‘Vertigon’ e Xhon Fergusonit. Porse nuk ke Madelinën, e as Xhudin. Asnjërën!

I vetëm me mjegullën.

Shikon përreth, dhe vendos. Do të kërcej. Së paku goditja me kalldrëmin zgjat më shkurt. Mendon të nisesh me kokë, ashtu që të çahen turinjtë dhe të mos ndihesh dhimbjen. Të mos e kuptosh sinjalet e fundit të jetës që të bartin neuronet në tru. Të mos jesh i vetëdijshëm. Të kalosh në mjegullën e zymtë ku të presin ata që kanë udhëtuar para teje.

Jeta është e ëmbël. Aq e ëmbël sa që shpreson se ndoshta mund të qëllosh në ndonjë çadër sikur në hotelet e filmave të Hiçkokut. Edhe ashtu veçse je në një tregim të tillë. Nuk kthen kokën sikur do bëje kur të zhyteshe në një lumë.

Mbyll sytë. Pret fundin.

Hap sytë. Mbushesh frymë njëherë mirë.

Sikur e ke ditur që ishte ëndërr.

Habitesh me vetveten sa i dobët je. Sa lehtë e pranon fundin. Sa frikacak që je. Ama e ke ditur që ka qenë ëndërr. Ashtu ngushëllon veten.

E din edhe kur ngufatesh në ujë. Atëherë kur vërshimet kapin majën e largët ku je strehuar nga apokalipsi. Je i pashpresë. Përsëri mbyll sytë.

Sa të dobët që jemi. Sa të mrekullueshëm që jemi. Mbyllim sytë sepse s’mund të konfrontohemi me fundin. Uji është afruar. Të mori.

Ishte ëndërr edhe kjo.

Provon të hapësh sytë. Por, jo kësaj radhe…

Nuk hap sytë. Nuk lëviz. Nuk mund të marrësh frymë lirshëm. Dikush po të ngufat njëmend. Të kujtohen fjalët e mësuesit në klasën e katërt. Lëviz gishtat nëse fle në shpinë. Trupi pushon. Gjaku pushon. Gishtat e këmbëve të vendosin në funksion gjakun. Merr kohë.

Hap sytë.

Përsëri?

Lodhesh.

Dikur i dorëzohesh ngufatjes. E vëren si të fiket truri dhe funksionet e tij me çdo grimë oksigjeni që humbet rrugës për aty. Mjaft më!

Je lodhur më.

E njëjta ëndërr. I njëjti skenar. I njëjti përfundim.

E ne mbetemi për të luftuar.

Për të luftuar vrasësit e natës! Ata që s’mund ti kontrollojmë. Vrasësit që lindin ditën. Nga ata që na rrethojmë. Qofshin njerëz, qofshin procese.

Luftë me të huajt ditën. Lufta me vetveten natën.

Je lodhur më.

p.s.

Shumica prej neve hasim në kësisoj skenarë nate të cilët kryesisht vijnë nga ngarkesa e trurit, nga stresi, nga mbyllja. Shkrimi osht bo që me ju tregu që s’jeni vet, edhe që seni ma i mirë që mundeni me bo, osht me luftu stresin, mendimet e këqija, edhe me shkarku trunin, n’daqi me shkrime, n’daqi me kangë, n’daqi me kafshë, n’daqi tu bërtit n’mal. Shkarkimi psiqik osht send i mirë.