Pa marrë parasysh sa provojmë të jemi të urtë, e të “thellë”, pamja e jashtme është ajo që na jep një pasqyrë fillestare për dikë. Por, pasqyra fillestare zbukurohet ose thyhet kur nis të shpërfaqet personaliteti i njeriut në fjalë.

Joaquin Phoenix, ndoshta për shkak të së kaluarës së tij, fillimisht të jep idenë e një njeriu të përvuajtur. E kaluara e tij, bashkë me mimikën e tij të zakonshme, e bëjnë atë të përkryer për rolin e Johnny Cash – njërit nga artistët më të njohur amerikan të pjesës së dytë të shekullit të kaluar.

Filmi nis në burgun Folsom, aty ku Cash ka incizuar njërin nga albumet e tij më të njohura, që bashkë me paraqitjen e tij aty mbeten ndër më të veçantat në historinë e muzikës amerikane.

James Mangold ndërton skenën duke na bërë të presim për fillimin e këndimit, dhe në momentin final ai na shfaq një sharrë druri për të kaluar në fëmijërinë e JR, nga ku do të zhytemi në biografinë e Cash, përfshirë edhe sekretin pas sharrës.

Mangold bën një punë të mirë në regji, sidomos gjatë kapjes së skenave të këndimit, ku dallon Cash nga solistët tjerë që paraqiten në skenë, ndoshta qëllimisht.

Nga solistët tjerë që paraqiten në skenë është edhe June Carter, me të cilën Johnny do të krijojë një miqësi goxha të rëndësishme për jetën e tij. Karakteri i June vjen nga Reese Witherspoon, e cila në plan të parë ka një dukje krejt të kundërt me atë të Joaquin Phoenix.

Aktrimi i të dyve, nxitur nga kjo harmoni skenike, është fenomenal, dhe fatmirësisht vlerësohet duke u sjellë nominime për Oskar.

Derisa tek Phoenix kemi një fytyrë të pikëlluar, tek Witherspoon gjejmë një vajzë të hareshme e cila përçon energjinë pozitive si në këngë ashtu edhe në skenë. Kjo përzgjedhje në kast mendoj që e ndrequr baraspeshën e duhur për suksesin e këtij filmi.

Mendoj që është një autobiografi që do të kënaqte edhe vet Johnny Cash, i cili nuk e ka mohuar dëshirën të kishte një film të këtillë. Nga aq sa di për të, dhe muzikën e tij, mendoj që është film i mirë, me një finale të përkryer që fillon aty ku na e ndal James Mangold në fillim, puna e të cilit në këtë film është po aq madhështore sa aktrimi Phoenix e Witherspoon. Nota personale: 5/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: