Categories
TV Reviews

Wandavision – Sezoni 1 (me spoilera)

Rritja ta shpif!

Dhe kjo ‘rritje’ vjen kur nisin të ‘rrënojnë’ botën tënde të çudirave!

Rritja është krimi më i madh që bëjnë të rriturit ndaj fëmijëve! Shkatërrimi i imagjinatës, i botës ëndërrimtare, e cila na nevojitet edhe më shumë kur rritemi e kur bota përreth na godet e përplas sikur të jemi karrige druri në një lojë wrestlingu, veçse këtu nuk është asgjë e inskenuar!

Askush të nesërmen e ditës më të pikëlluar nuk na zgjon duke na thënë “ishte ëndërr, një shaka e pakripë, por s’do ta bëjmë më.”

Dhe ti vazhdon e vazhdon të flesh duke pritur që të zgjohesh nga kjo ëndërr e frikshme që vetëm se vjen e bëhet më e llahtarshme.

Si përgjigje ndërton një botë imagjinare, nëse ke pak aftësi kreative. Fatkeqësisht, në vend të zhvillimit të këtyre aftësive, detyrohemi të mësojmë për gjëra që nuk na hynë në punë asnjëherë gjatë jetës! Me ato pak aftësi kreative, shkarravisim në fletë blloku 5, në një fletë me vija të gjëra, në ndonjë ‘sintisajzer’ që kemi blerë në pazar, ose që të gjitha i bëjmë në një telefon i cili është arratisja më e mirë nga realiteti jo aq i këndshëm.

Të njëjtat vuajtje i kanë edhe super-heronjtë tanë!

Wanda krijon një botë imagjinare, për të përballuar humbjen e Visionit, që është goditja e fundit mbi atë jetë të rrënuar në aspektin emocional.

Që nga episodi i parë, deri në fund, në aspektin emocional Wandavision na shtjerrë dalëngadalë deri në momentin kur vendos të lë mënjanë gjithë krijesën e saj dhe mbetet e gjunjëzuar, e mposhtur, e rrënuar para gërmadhave mbi të cilat kishte ndërtuar shpresën e vetme, të fundit për të pasur një jetë që kishte ëndërruar.

Dhe pastaj…

Aktrimi i Elizabeth Olsen shpërfaqë për mrekulli emocionet e një personi të shkatërruar shpirtërisht që provon të mbajë medoemos jashtë botës së saj të re të kaluarën e frikshme.

Që nga ato detajet e imta që kemi në episodet fillestare, deri tek çmenduria në episodin e fundit, deri tek dorëzimi para Agnesës, Wanda përshkruan një rrugëtim të një shpirti që është i gatshëm të bëj gjithçka e të mbetet me asgjë vetëm e vetëm që të ruaj këtë botë të lumtur, që të mbyll të çarat që vetëm sa vijnë e shtojnë, që të thyej atë orë alarmi që na zgjon nga ëndrrat më të mira.

Edhe ne e kemi mjaft të vështirë të lëmë mbrapa këtë super-seri, sidomos dy binjakët pas episodit të fundit, por koha lehtëson gjithçka.

Pas një muaji, ky recensim do të ishte më pak emocional, e edhe madhështia e Wandavision si seri do të ishte më e vogël. Por, ëndrrat për jetën që imagjinonim si fëmijë do të vazhdojnë të jenë aty, pa marrë parasysh sa i shtypim në thellësi. Dhimbja për të humburit është e freskët, sado që e shtyjmë larg mendjes.

Derisa seritë e filmat, na strehojnë për disa minuta nga realiteti, Wandavision na dëshmon që as superheronjtë që kanë aftësi të ndërtojnë botë imagjinare, nuk mund të ndryshojnë realitetin. Ngjashëm si Harry Potter me dhuratat e vdekjes, e Neil Armstrong me udhëtimin në hënë. Ne mund të mos krijojmë një botë imagjinare, pos nëse luajmë The Sims 4, ose mund të shkruajmë, pikturojmë, a programojmë lojëra. Megjithatë, pikëllimi për ata që duam, për dashurinë, mbetet aty edhe më pas.

Sepse, çka është pikëllimi pos këmbëngulja e dashurisë për të triumfuar?