Categories
TV Reviews

Wandavision – Sezoni 1 (pa spoilera)

DC gjithmonë më ka pëlqyer për shkak të zhytjes së thellë në historinë e zymtë të ngjarjeve dhe karaktereve, të cilat janë larg perfeksionit.

E ngjashme është edhe historia e Wanda Maximoffit e Visionit.

Këto dy karaktere me superfuqi në botën e Marvelit nisin jetën në Amerikën e pasluftës së dytë botërore, me jetën që merr trajtën e komedive legjendare amerikane.

Njëra ndër këto komedi është edhe The Dick Van Dyke Show. Kjo është seria më e vjetër që kam pa! Dhe është njëra ndër më të këndshmet, njëkohësisht.

Të shihja episodin e parë të Wandavision të bënte një ode për këtë seri ishte një ftesë që garantonte se do të mbetesha me këtë seri deri në fund, u bë çfarë u bë! Dhe ajo çfarë u bë ishte e paimagjinueshme!

Ndonëse episodet e para nuk kanë kuptim për fansat e zakonshëm të MCU-së, për këdo janë një realizim goxha mirë i sendërtuar, që shërben si një shtrim skene para se gjërat të marrin formën e mahnitshme që na shoqëron deri në episodin e fundit.

E vetmja përparësi për ata që kanë parë filmat e MCU-së, është njoftimi paraprak me historinë e karaktereve. Dhe që të dyja, nga karaktere dytësore në filmat e MCU-së, marrin skenën kryesore në këtë mini-seri duke shfaqur talentet e tyre artistike. Kjo vlen sidomos për karakterin e Wandas.

Elizabeth Olsen së pari e kam parë në filmin ‘Liberal Arts’; Paul Bettanyn në ‘A Beautiful Mind’. Karaktere të ndryshme, aktrim të shkëlqyeshëm, linja të paharrueshme nga të dy, të cilat bien në plan të dytë me vetëm nëntë episode të kësaj serie, ku këta dy artistë sjellin dy karaktere të njohura në një frymë krejt ndryshe.

Edhe karakteret dytësore janë vitale për zhvillimin e tregimit në këtë mini-seri që shërben si një hyrje në fazën e katërt të MCU-së. Dhe nëse faza e katërt do të ketë një nuancë të këtillë, atëherë lum na çfarë po na pret!

Fotografia, sidomos ajo që sjellë skenat e serive klasike është madhështore. Skenari dhe zhvillimi i ngjarjes dhe karaktereve i përkryer. Realizimi teknik, asgjë e pazakontë nga përvoja e Marvelit.

Super-seri që na kënaq për secilin nga nëntë episodet. Është e pabesueshme që do të ketë sezon të dytë ndonjëherë. Prandaj është koha të vazhdojmë me seri tjera, me ngjarje tjera. Nota personale: 5/5