Janë disa seriale, ose më mirë të themi kreator serish televizive të cilët marrin kohë në shtjellimin e rrëfimit. Pak a shumë i tillë është edhe Damon Lindelof. Megjithëkëtë, rrëfimet e tija janë ndër më të mirat në televizion. Sigurisht që ka të tillë që kanë mbetur të zhgënjyer nga fundi i ‘Lost’ apo shtjellimi i ‘Leftovers’, por një gjë nuk mundemi ta mohojmë – rrëfimi i historive në së paku këto dy seri ka qenë i shkëlqyeshëm, sidomos tek ‘Lost.’
Hiq më keq nuk mbetet Lindelof as tek ‘Watchmen’. Ata të cilët kanë paksa njohuri me historinë e ‘Watchmen’ nuk dyshoj që do të kënaqen. Ata që kanë parë vetëm filmin me idenë që është një histori heronjsh do të zhgënjehen me serialin. Më thjesht, nuk është për ata që pa i pyetur askush nisin muhabetin ‘Marvel vs DC’. E kam përmendur më herët, po e përmendi përsëri, DC është për më ‘të rriturit’! Për ata të cilëve ju intereson thelbi i tregimit, rrëfimi, jo vetëm aksioni dhe aventura.
Seria përqendrohet në tensionet raciste në Tulsa, Oklahoma në vitin 2019, 34 vite pas ngjarjeve në tregimin origjinal. Qëllimisht, Lindelof ka përzier ngjarjen e serisë me kryesoren, duke krijuar diçka të re, jo vetëm një freskim të historisë origjinale. Ndonëse mbush të gjitha kërkesat e esnafëve të Hollywoodit neoliberal për ‘korrektësi politike’, serinë nuk do ta cilësoja diçka që ndërlidhet vetëm me racën. E di që këtu mund të ketë njëfarë hezitimi nga një pjesë e konsiderueshme, por historia është aq e thellë, aq e imtësuar sa që do të ishte ofendim sikur ta thjeshtonim në vetëm një konflikt racor.
Rrëfimi perfeksionohet me pjesën që tregon për Ozymandiasin i cili për pjesën më të madhe të sezonit mbetet një histori në vete, jashtë konceptit të ngjarjeve që ndodhin në Tulsa. Por, ju duhet durim, si për gjithçka tjetër në këtë seri! Kalimet nëpër të kaluarën, për të shpjeguar atë çfarë po ndodh janë të ndërtuara për mrekulli njashtu. Në përgjithësi, shkrimi dhe pjesa tjetër teknike e pas kamerave është art!
As aktrimi nuk mbetet mbrapa. Regina King vjen në rolin kryesor të Angela Abar. Por, gjithçka mbetet nën hije të aktrimit dhe rolit të Jeremy Irons si Ozymandias. Tim Blake Nelson e Jean Smart janë dy emrat që kanë kryer një punë të shkëlqyeshme në gjallërimin e karaktereve të tyre ‘humane’, gjersa nuk duhet të lëmë anash as Tom Mison e Sara Vickers si shërbëtorët, dhe jo vetëm të Ozymandias. Për Louis Gosset Jr., fjalët janë të cekëta për të përshkruar punën e tij në këtë serial.
Nuk dyshoj që shumëkush do ta ketë lënë serinë qysh pas episodit të parë, në mos më herët. Është e dukshme që seria kërkon një angazhim, por më pak se kryeveprat e letërsisë ruse sepse ka më pak karaktere. Por, gjithçka ka kuptim në fund. Nëse dikush nuk dëshiron të mundohet me ngjarjen, atëherë mund ta nis nga episodi i fundit deri tek fillimi. Mund të ketë kuptim. Ndoshta.
Unë s’do të ju rekomandoja. Atë që do t’u rekomandoja do të ishte një ve katundi e zier! Edhe atë me kolonën zanore të këtij sezoni! Nota personale: 5/5