Categories
TV Reviews

Westworld – Sezoni 3 me spoilera

Makinën që i parandalonte gjërat e këqija, i jepte njerëzit e këqij e kemi pasur tek ‘Person of Interest’. Ai serial fantastik ka përfunduar pak para kohe, por për aq sa ka zgjatur ka qenë i kënaqshëm me çdo episod. Më i mirë se Westworld? Më ndryshe po!

Në sezonin e tretë, që doli të ishte një fillim i ri me vdekjen e Doloresit në fund, kemi një vazhdim të revolucionit të ‘hostave’ (po ju them kështu sepse robot nuk po më duket e përshtatshme), të cilët provojnë të marrin përsipër Rehoboamin, makinën që duhet ta mbrojë njerëzimin nga vetë-shkatërrimi!

Ardhja e Vincent Casselit në rolin e Serac, ideatorit dhe pronarit të Rehoboamit dhe pronarit të ardhshëm të Delosit, i ka dhënë jetë këtij sezoni. Si një gardian i AI, ose më mirë të themi një zot i AI-së dhe botës siç e shohim në takimin me presidentin brazilian, ka qenë një përzgjedhje e shkëlqyeshme kastingu. Ai arrin të përçojë për merak rolin antagonist që i jepet.

Hiq më keq nuk mbeti as shtimi i Calebit, portretizuar nga Aaron Paul. Siç e pamë në fund, me shumë gjasë ai do të jetë figurë kryesore në sezonin e katërt, tashti që nuk e kemi Doloresin. Shtjellimi i karakterit të Calebit përgjatë tetë episodeve, është realizuar me mençuri. Në fund, kemi një portret të pastër si kristali për të – kush ishte, çfarë do të jetë, pse do të jetë! Keq që fansat e idesë ‘Breaking Bad seria ma e mirë në botë’ nuk do të mund ta shijojnë këtë serial.

E kur jemi tek Dolores, e kam një ‘mësysh’ që sa herë nis të më pëlqejë vërtet një karakter, pa kaluar shumë kohë, mbytet. Fatmirësisht e njëjta nuk ndodhi me Tessa Thomposinin dhe karakterin e Charlottes.

Këto dy karaktere i kemi në rolin e ‘hostave’ të cilët arrijnë të ndjenjë emocione njeriu më shumë se vet njeriu!

Charlotte kujdeset më shumë për familjen e saj se sa versioni i saj njeri, sa që vendos të rrezikojë gjithçka për hakmarrjen për vdekjen e tyre. Njëjtë edhe Dolores, e cila provon të ‘rregullojë’ njerëzimin në mënyrën e vet.

Zhvillimi i karakterit të Dolores nga sezoni i parë deri në një liderë revolucionare, e mbi të gjitha puna e saj në këtë pozitë gjatë sezonit të tretë është bërë ngadalë e mençur. Evan Rachel Wood ka bërë një punë të shkëlqyeshme sidomos në këtë sezon.

Tek Maeve kemi pasur një lloj rezistence më të theksuar nga fillimi i serisë, mendoj. Gjithashtu personalisht me Thandie Newton dhe punën e saj kam qenë më i familjarizuar, dhe ndoshta për këtë arsye e lë në plan të dytë në krahasim me Doloresin dhe Evan Rachel Wood. Por episodet finale me dyluftimin e tyre edhe direkt, ishin ndër pjesët më të mira të sezonit. Është mirë që së paku na mbetet Thandie Newton për sezonin e katërt. Shpresoj.

Po mbeten karakteri i Bernardit, Williamit, e Ashley. Po mbetet edhe një histori e tërë për ta diskutuar, skenarin e zgjuar, fotografinë mahnitëse, dialogët e citatet që do të mbeten kult. Janë gjëra për të cilat mund të flasim me ditë, por më mirë është që të shikojmë edhe një herë. Çdo herë që sheh të njëjtin episod, zbulon diçka më shumë. Westworld mbetet në nivelin ku ishte, një botë në vete, në të cilën duhesh të përpihesh që ta shijosh në maksimum. Nota personale: 5/5