Samuel L. Jackson është duke i treguar dikujt se si ka shpëtuar planetin tonë nga Lufta e Tretë Botërore. Derisa vazhdon të llomotit me kulturën e tij të zakonshme, shohim bashkëbiseduesin e tij i cili s’di asnjë fjalë anglisht – Neymar Jr (po, ai që vjedh tatime, diçka e zakonshme për një pjesë të konsiderueshme këtej kah ne). Pasi përfundon muhabetin, Augustus Gibbons niset kah dera dhe çka të shoh, hyn një hajdut. Por, Neymari kësaj radhe për çudi nuk rrëzohet për të kërkuar penallti. Kap një kanaqe edhe e godet në kokë sulmuesit duke shpëtuar Gibbonsin. Megjithatë asnjëri nga ta nuk shpëton nga sateliti i djegur i cili po bie drejt tyre. (pa merak barcelonista, Neymari është akoma gjallë)

Pak skena më pas, në një maje të antenës është i ngjitur super-meni në katror, Xander Cage – ylli i filmave aksion, njeriu që meriton 12 oskarë, Vin Diesel. I rrethuar nga rojet e antenës shpërndarëse, Xander lëshohet me ski dhe përfundon e ku përfundon. Ajo çfarë është e çmendur, janë këshilla që u jep të tjerëve gjatë rrugës. Edhe atë në portugalisht!!!

Vajza të ‘bukura’, shumë cullakhone, muskuj, aksione të çmendura, bomba. Kështu vazhdon fund e krye ky vazhdim i tretë i xXx. Në fakt as që do të duhej të kemi pritur më shumë, por çfarë të bësh, janari e shkurti janë të mbushur me filma që i dedikohen një shtrese të caktuar të shoqërisë, shtresë e cila tek ne goxha është e madhe në numër.

‘xXx: Return of Xander’ është një produkt global vizual i cili përmban në vete aksionet amerikane, stilet marciale të Lindjes së Largët, bukuritë braziliane të natyrës dhe gjinisë së bukur, aksentin indian, dhe të sharat angleze. Është film që kënaq dikë, me krejt ato që përmenda më lartë. Por jo mua. Nota personale: 1/5