Ndonëse mund të ngulmojnë që ishte më ndryshe se zakonisht, sezoni i katërt i You, është më i dobëti deri më tani. Ose ndoshta po e teproj me subjektivizëm.
Tash, pasi e ka bërë bërllok nëpër krejt Amerikën, Xho Golldberg zhvendoset në Mbretërinë e Bashkuar në ndjekje të Marianës. Këtu, tash është profesor i gjuhës, dhe kur jemi te gjuha, aksenti britanik teprohet e mbi-ekspozohet sa të shkon nerva.
Janë ajo klasa borgjeze britanike me aksentin e tyre, pjesë e së cilës bëhet vet Xho, tash Xhonathan, që të plasin nervat që nga fillimi.
Mirëpo, më duhet të pranoj që pjesa e dytë e sezonit, kur kuptojnë “sëmundjen” e Xhonathanit (të fundit, sepse dimë që ka qenë i sëmurë më parë), e bën pak më interesante sezonin, por fundi lë shumë për të dëshiruar.
Nuk ka shumë për të folur për aktrimin – gjithë çfarë ju duhet është të ndreqin buzët dhe të flasin anglishten borgjeze shumica e aktorëve dytësorë. Penn Badgley e ka mësuar rolin për mrekulli sa zor është ta shohim fytyrën e tij dhe të mendojmë në Den Hamfrin.
Fansat që ju ka pëlqyer fundi i sezonit të tretë nuk besoj që janë ndarë të pakënaqur. Ngjarja zhvillohet si zakonisht, veçse kësaj radhe ka më shumë vrasje e që ndoshta sjellë në pah ‘frikën’ e producentëve se mos bëhen ‘bajat’ të kalonin krejt sezonin me një a dy vrasje, duke bërë kurban nga një karakter për çdo episod.
Fundi lë shumë për të dëshiruar.
Dhe dëshira ime është të kemi dikë nga e kaluara që ndjekë Xhonathanin, ani pse mundësia që ajo të jetë Llov a Bek janë minimale. Një karakter i ri s’do prishte punë.
Por, nëse vazhdojnë tash Xhonathan e Kejt, atëherë çka? Do të vrasin klasën borgjeze si pjesë e revolucionit të proletariatit?! Tash po ankohem në mungesën e cilësisë së këtij sezoni, por nëse vazhdon, me këtë opsionin e dytë, atëherë do të bëhet edhe më bërllok! Nota personale: 3/5