Categories
TV Reviews

Your Honor – Sezoni 1 (pa spoilera)

Bryan Cranston njihet më shumë si Hajzenbergu i ‘Breaking Bad’.

Por, ngushtimi i aftësive të tija prej aktori në vetëm një karakter mendoj që është fyes ndaj tij. Bryan Cranstonin, si në komedi, si në dramë, si në ditë të mira, si në të këqija, e gjeni si një aktor superior që përçon emocionet më origjinale të natyrës së njeriut.

Tek ‘Your Honor’ e kemi në rolin e një babai i cili provon të mbajë jetën e tij në takt derisa të gjitha shtyllat nisin të lëkunden e thyhen. Dhe në këtë luftë me beteja në të gjitha anët e jetës së tij, Bryan Cranston shfaq një aktrim që i shkon përshtati emrit dhe përvojës së tij.

Më duhet të pranoj që karakteri i tij, Majkëll Desiato, ishte i stërngarkuar për mua si shikues. Fillimisht, lidhja e tij me të birin, lidhja e tij me miqtë e ‘nëntokës’, me kolegët, me interesin e tij romantik, me armiqtë e nëntokës, me armiqtë e mbitokës, orkestrimi i një gënjeshtre në përmasa aq të mëdha, në një fushë aq të gjerë, me gjithë ato karaktere. Phjuuu…

Si seri më ka lodhur, sa me volumin e ngjarjeve në episod, sa në fundet e paqarta që na shtynin të prisnim deri në javën vijuese.

‘Your Honor’ sjellë historinë e një gjykatësi, i cili duhet të orkestrojë shpëtimin e të birit nga burgu dhe hakmarrja, kur ai në aksident trafiku mbyt të birin e njërit nga mafiozët më të mëdhenj të New Orleans.

Siç e përmenda edhe më lart, është një numër i madh i karaktereve të cilat pasurojnë ngjarjet në këtë seri prej dhjetë episodeve. Hope Davis e Michael Stuhlbarg në rolin e prindërve të viktimës, Carmen Ejogo e Amy Landecker si kolegët e Majkëllit, janë pjesë e kastës më të moçme, derisa Hunter Doohan e Lilli Kay, vijnë si i biri i Majkëll dhe e bija e Baksterëve, me një përvojë më të vogël. Mbresëlënëse më është dukur ngjashmëria e Stuhlbarg e Kay, të cilët janë babë e bijë në seri.

Aktrimi është i shkëlqyeshëm, por edhe më i kënaqshëm është zhvillimi i ngjarjes. Me gjasë kështu ndodh kur e di që për dhjetë episode duhet të kryesh tërë ngjarjen.

Që nga episodi i parë, deri në finale, ngjarja nuk lë hapësirë për tu kotur a dremitur. Mbetesh i lidhur, dhe ata që vendosin ta shohin tash e tutje, nuk e kanë pengesën për të pritur për dhjetë javë shfaqjen e episodeve të reja. Me shumë gjasë, do e përfundojnë brenda vikendit. Nëse ia mësyjnë, edhe më herët.

Seria më ka pëlqyer. Edhe pjesa teknike ka qenë goxha mirë e realizuar përkrah asaj artistike. Nuk e di sa e shoh fundin të kënaqshëm, por qëllimi ka qenë rrugëtimi i karakterit kryesor, historia e të cilit nis si një shembull i shoqërisë, e pastaj… Nota personale: 4/5