Categories
lomsh

Zemra e Klementinës

Katër muaj vonohen të kuqet, deri në pesë muaj të bardhat. Kjo vlen për qelizat e rruazave të kuqe edhe të bardha të gjakut, e disa qeliza marrin vite për tu rigjeneruar. Këto nuk i shohim me sy, nuk i vërejmë. Ato që i vërejmë janë ato lëndimet e gishtit, dorës, krahut, kur i biem derës hapur me gishtin ma të vogël të këmbës. Hala më e pështirë është nëse ju ndodh të ju ngulitet ndonjë ‘spirrë’ druri, sidomos nëse ngroheni me ta dimrit. Tek këto vërehet sa mirë rigjenerohet trupi edhe diçka e lënduar të kthehet ashtu siç ka qenë më parë.

A e dini atë mitin për dashninë e parë që e zatetni n’shkallë e ju praptohen librat? Atë dashninë e parë, për t’cilën thonë që s’ka si ajo? Aha, po, bash për qato që e keni pa nëpër filma!

Ajo dikur merr fund, për ni arsye a tjetrën, edhe gjithmonë ju kujtohet… ju kujtohen detajet, shumica fëmijërore, edhe diqysh mënoni, e ngujoni n’kry që kurrë s’keni me përjetu diçka të tillë, e leje ma ma t’mirë…

A e dini pse fëmijëria osht pjesa ma e mirë e jetës? Sepse truni osht i zbrazur edhe i gatshëm me thith informata, kujtime e çmos, edhe ato që na mbeten aty, t’parat që vijnë i rujmë, nuk i fshijmë… na duken ma t’mira ma loqkë, ma t’papërsëritshme… amo apet, disa kemi qef mi përsërit, disa kemi qef mi harru, mi bo ma t’mira… s’mundemi, e disa edhe nuk duam…

Kthehemi te dashuria e parë. Ai djali i cili na ka çmend, ka qenë engjëll, princi, ai i cili do të jetë gjithmonë pranë neve. Deri në fund të jetës. Si nëpër filma. Mirëpo, i ka pas disa anë të këqija, ama apet ka qenë i mirë.

Klementina…

Klementina ka kqyr shumë filma. Ka lexu shumë. Ka pas familje të shkëlqyeshme. Ka qenë melaqe. Ashtu e paqtë n’zemër, ka vesh rroba ngjyra që t’kanë kujtu pranverën. Ka buzëqesh gjithmonë, ashtu plotë dashuri ka rrezatu, sikur vera. Shikimi i saj ka qenë serioz, shpues, sikur ni i ftoftë vjeshte që ti fut dridhmet trupit si një duhi që nuk ti kursen as veshët.

Krejt këto kanë marr ni volum ma të nalt kur ajo ka taku djalin e ondrrave. Ka qenë i përkryer, sikur ai princi që del të kërkoj të përhiturën më këpucën e saj. Bile edhe më i mirë. Veçse nuk ka qenë princ. Ka qenë ni kohë e mirë, e përkryer, mirëpo si gjithçka shumë e përkryer, edhe kjo ka qenë shumë ëndërrimtare me zgjat shumë.

Dashuria nis të bie në një pikë, dhe derisa zhiva në matësin e dashurisë nis të bie, gjëra ‘reale’ ndodhin ndërkohë. Papritur prioritetet ndryshojnë, princi ka shumë shokë e shoqe, ngjashëm si Klementina. Dhe kur gjërat nisin të pushojnë, ato shkojnë keq, e më keq, derisa dikur bohen bërllog. Aty dalin fytyra krejt tjera, fjalë krejt tjera, e bohet çka bohet, vjen fundi… ondrrat rrënohen edhe kush ka nerva me nis edhe nihere me ndërtu gjana…

Mëlçia osht i vetmi organ që mundet mu rigjeneru. Edhe këtë sen e kisha fut n’listen e msive t’televizorit. Nëse lëndohet a ndodh diçka me ni pjesë të saj, bile edhe nëse largohet ni pjesë e saj, apet mundet mu kthy në plotni mas ni kohe. Zemra nuk e ka këtë aftësi.

Për këtë arsye zemra e Klementinës kurrë nuk ka qenë e njëjta. E thyer prej ‘princit’ që i ka lyp mi qu GPS edhe kur ajo ka qenë tu fjet n’shpi; prej princit që i ka lyp krejt passwordat e saj, edhe raporte prej mbledhjeve e takimeve familjare; prej princit i cili osht kthy në skllavopronar. Amo apet, ai ka pas shumë sene t’mira, edhe që janë nda nuk osht faji i tij, po osht faji i Klementinës. Tash e sa vjet, ajo vazhdon me vujt për princin. Zemrën e ka të thyer, edhe kurrë ma s’do ta ketë ashtu siç e ka pas ma herët. Kurrë ma ajo s’do të dashuroj siç ka bërë herën e parë.

Klementina nuk osht e vetme. Klementina ka shumë, edhe shumë do të ketë. Sepse dashuria e parë është e veçantë, dhe kurrë më s’do të jetë e njëjtë, asni dashuri tjetër. Si princi s’do të ketë. E vërtetë, të paktë janë skllavopronarët. Në fakt janë të shumtë, mirëpo secili i ka karakteristikat e veta. Dhe ato të këqijat i ka secili princ, pak a shumë. Të mirat e princit të parë nuk i ka askush. Për të ia vlen të vuash me vite.

Por, derisa Klementina vuan, koha ecën…. dhe pos kohës që i ka dedikuar princit, muaj e vite, ajo vazhdon ti dedikoj kohë atij, duke menduar e vuajtur për të, duke mallkuar veten qysh s’ka qenë më e mençur, më e bindshme, më skllave…

Sa kohë do të harxhoj Klementina, a do të pranoj të qes nga zemra princin, mbetet të shihet… ndoshta edhe kurrë nuk do ta bëj… por…

Zemra fizikisht nuk mund të rigjenerohet. Por, fizikisht edhe nuk thyhet sa herë që princat të shëtitën andej. Për tu ruajtur nga lëndimet fizike është kafazi ta mbroj. Për tu ruajtur nga lëndimet shpirtërore është truri. Por, a ia vlen të mbet skllavopronari aty, si një mollë e prishur në mesin e shumë e mollave? A ia vlen të humbet kohë edhe më tej?

Ni fjali e mirë thotë që suksesi matet me sa herë dikush ka arritur të çohet pas gjithë atyre rrëzimeve… pas çdo rrëzimi osht dreq pune mu çu apet, edhe kjo osht diçka që bojnë veç të fortit…

Sa të fortë jemi na? Sa e fortë osht Klementina?

Por, sa i fortë është Xhoeli?

Për Xhoelin edhe tjerët si ai s’po flasim sot… s’po shkrujm…

 

p.s. shkrimi osht i inspirum prej njanit prej filmave ma t’mirë të bom nojhere ‘Eternal Sunshine of the Spotless Mind’ ku Klementina osht njo prej karaktereve kryesore, bashkë me Xhoelin…