Mark Boal dhe Kathryn Bigelow janë bashkuar për të sjell edhe një realizim të shkëlqyeshëm filmik që përfshinë forcat amerikane. Kësaj radhe të kritikuar dhe injoruar nga shumica e analistëve të kinemasë, dyshja ka dështuar të fitoj shpërblime përkatëse përkundër një pune të mrekullueshme që kanë bërë.
Për mendimin tim, Zero Dark Thirty nuk është hiq më pak cilësor se sa The Hurt Locker. Për më tepër filmi del të jetë më interesant, sidomos pjesa e fundit, edhe pse ka pjesë kur bëhet paksa i mërzitshëm. I bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi portretizon rrugëtimin e një agjenteje të CIA-s në gjah për terroristin më të madh të dekadës së kaluar, Osama Bin Ladenit. Filmi është i përqendruar tek karakteri i portretizuar nga Jessica Chastain, e cila arrin të kap disa skena fascinuese duke dhënë maksimumin nga aftësitë e saj prej aktoreje që po zapton ekranet e mëdha vit pas viti.
Ajo arrin të portretizoj një karakter imagjinar për të e për të cilin thotë se kurrë nuk e ka takuar, në mënyrë të përsosur. Kemi një grua të fuqishme, të vendosur, me qëllime të qarta, si dhe me një dozë të madhe hakmarrëse sidomos në pjesën e dytë të ngjarjeve. E tradhtuar, dhe me ndjenjën e fajtores për humbjen e kolegëve, pjesa e dytë sjell në pah një karakter shumë më të fortë dhe më të ‘çmendur’. Është skena kur ajo është i vetmi karakter femër në një mbledhje të CIA-s kur ‘u humb rrugën’ të gjithë të pranishmëve. Është edhe skena kur bisedon me të burgosurin, si dhe ajo skena kur kërkon ndihmë ushtarake nga një operativ tjetër në organizatë. Aktrimi i saj është i shkëlqyeshëm dhe meriton vlerësimet më të larta. Nuk është hera e parë që shkëlqen këtë vit, pas rolit më dytësor në Lawless, si dhe vjen pas roleve fantastike vitin e kaluar në The Tree of Life e The Help, për të cilin rol ishte nominuar edhe për Oskar.
Nuk ka shumë aktorë me hapësirë të madhe në rolet tjera, por mund të konsideroj se është një kast i shkëlqyeshëm i aktorëve në rolet dytësore, duke nisur nga operativët tjerë, deri tek pjesëtarët e skuadrës Navy Seals Six.
Kur jemi tek regjia, Bigelow nuk dëshpëron aspak edhe në këtë film. Kemi të njëjtën teknikë që kemi parë edhe tek The Hurt Locker. Ajo arrin të realizoj këtë film në mënyrë të shkëlqyeshme. Shpërndarja e tregimit është shumë e mirë. Më pëlqen fakti që aksioni i skuadrës për kapjen e Bin Ladenit është i përpiktë me aksionin që ka ndodhur në jetën reale, së paku ajo pjesa pas aterrimit të helikopterëve. Kështu kam dëgjuar të thotë si mysafire e Stephen Colbert, nuk di sa përkon me realitetin kjo, por, nuk dyshoj që Bigelow të ketë bishtnuar të vërtetën, përkundër asaj që nuk i përshtatet qejfeve të pushtetit amerikan.
Edhe skenat që shpien deri tek ndërtimi i skenës finale janë ndarë në kohë shumë të mirë, vazhdimisht duke u zgjatur skenat. Nuk mungon as ajo kapja e skenave nga këndet e duhura, sidomos tek njëri nga eksplodimet kryesore në film. Eksplodime janë disa në film, të gjitha të kapura pos në mënyrë vizuale, edhe me një zërim të përkryer. E di që ka shumë postproduksion këtu, në krahasim me zërimin origjinal, por sidoqoftë është një punë që vlen të lavdërohet.
Ajo çfarë më pëlqen më së shumti është skena e fundit, e mbylljes. Nuk mund të paramendoj fund më të mirë që kam parë në filmat e vitit 2012, së paku jo në mesin e atyre të nominuar për Oskar. Le ti kujtoj edhe një herë fundet! Jo, definitivisht nuk ka fund më të mirë. Është një ndër skenat më të përkryera të mundshëm, është aty ku duhet të përfundonte filmi, skena që veçse shton përsosmërinë e stories, pa tejkaluar në kotësi dhe tepricën politike që do të vinte më pas.
Punë e mrekullueshme e Bigelow dhe Boal, por akoma më fascinuese ishte performanca e të mrekullueshmes Jessica Chastain. Film që nuk bën ta lëni pa e shikuar, sidomos nëse jeni fansa të zhanrit të filmave luftë, biografi, e dramë. Për fansat e ‘The Hurt Locker’ është diçka që duhet të shihet PATJETËR!
Luan Morina
Kritik për TV&Film