Categories
Journal

Zoti, feja, besimtarët

Problem t’madh, bajagi t’madh e kom pas derisa e kom nda Zoti, fenë, edhe besimtarët n’tri shtylla t’veçanta që jo medoemos jon pasqyrë e njona-tjetrës.

Problemi ma i madh osht kon që kta t’fundit kanë konsistu që të tri jon t’lidhura ngusht edhe pandryshueshëm. Gjithashtu mosbindja ndaj njonin prej tyre, t’qet jasht zingjirit. Nuk kom mujt, dikur, edhe nuk muj mo me u bind n’këtë lidhje tpandryshueshme. Faji osht që shumë prej besimtarëve i kontestojnë dy t’parat për mënyrat qysh tjerët besimtarë u përshtaten .

Tashti secili besimtar, grup besimtarësh vendos rregullat e veta për praktimin e fesë edhe për konceptin e Zotit. Të gjitha fetë Abrahamike janë monoteiste ku gjithçka nis nga Zoti. Megjithatë kjo osht pika e vetme e përbashkët, edhe ato veq si nocion. Që nga këtu e teposhtë gjithçka nis me ndryshu edhe pse n’fakt osht shumë e përafërt me njona-tjetrën n’disa pika. Praktimi i fesë nga feja ndryshon, e gjithashtu ndryshimet shfaqen edhe brenda ni feje. Kto e bojn besimtarët. Besimtarët e përshtatin fenë n’bazë kushteve dhe faktorëve të ndryshëm demografik, gjeografik, filozofik, etj.

Edhe tashti, secili grup do mu kon ma i miri. Secili kërkon shpërblimin ma t’madh për këtë jetë, dhe tjetrën – ata që besojnë. Ktu lind edhe konflikti n’mes grupeve t’ni fesë, e masanej ndërmjet feve. Pra, dy t’fundit – feja dhe besimtarët – nuk pajtohen n’mes vete edhe krisin problemet. Bile edhe kta t’fundit që i përkasin ni feje nuk pajtohen edhe apët ka probleme. Pra, si besimtar ti duhesh me u drejtu edhe me besimtarët tjerë të fesë tonde, edhe me besimtarët tjerë t’feve tjera.

Këtë punë luani e ka lon moti. Kisha pas qef edhe tjerët me lon. S’paku me mu kur t’jen. Besimi osht personal, edhe Zoti. Unë besoj n’formën teme, edhe kjo formë përshtatet ma shumë me Islamin. Për këtë arsye edhe e quj veten myslimanë, amo edhe refuzoj me m’identifiku si krejt myslimanët nëpër botë. Ose hala ma keq me m’identifiku me ‘pseudo-myslimanët’. Kjo për arsye se janë dhjetëra e qindra sekte n’Islam, edhe unë nuk përshtatna tërësisht me asnjonin prej tyne.

Tek besimi im, personal ka shumë sende që i përdorin edhe besimet tjera si krishterët, ortodoksët, çifutët, e edhe besimet lindore, pse jo. Nëse asgjë, me fetë tjera Abrahamike na lidh njëshmëria e Zotit. Ngjashëm mundemi mu lidh edhe me fetë tjera që konsistojnë n’teizëm.

Mirëpo, a nuk po dal i pafe nëse nuk i besoj ni drejtimi t’caktum t’Islamit? Ose t’gjithave? Cilit mi besu mas pari. Ni ajet i Kuranit t’interpretohet prej shumëkujt n’mnyra t’ndryshme. Mas ajeteve shkojmë tek hadithet ‘fuqia’ e t’cilëve interpretohet prej grupeve sipas ‘qejfeve’ edhe ‘interesave’. Mbi t’gjitha ndryshimet e epokave nuk merren parasysh, sidomos tek e fundit.

Për mu qujt i pafe n’Islam lypet deklarimi i pastër që ‘nuk beson n’Zot’. Domethon n’rastin që ti e konteston njëshmërinë e Zotit, edhe vet deklarohesh si i pafe, edhe je. E mos përmbajtja e t’gjitha ajeteve e haditheve sigurisht që nuk na largon prej fesë.

Ngjashëm vlen edhe tek fetë e tjera. Krishterimi e ka kry atë revolucionin e duhur n’kohë. Edhe Islami, e judaizmi, e krejt fetë tjera kalojnë nëpër faza ku thjesht mendimet e krejtve nuk pajtohen. Osht e pamundur mi pajtu 1 miliardë veta t’ni besimi.

Prandaj, liria fetare duhet mu kon e pranishme. Secili ka t’drejt me besu e mosbesu, qysh t’dojn. Kërkush nuk duhet, nuk guxon me ta ofendu besimin, fenë, e Zotin. Edhe nëse ti ofendon, çfarë efekti ka ai ofendim i tij? A mos mundet mi bo diçka fesë, apo Zotit? Jo.

Ka shumë myslimanë. Mirëpo jo krejt hyjmë me ni thes. Dikush kqyr deri n’1600 episode e 300 filma n’vjet, dikush thotë që kjo osht haram. N’fund t’fundit na e besojmë ni Zot, pa marrë parasysh sa mundet mi dhimt ky fakt ktij t’dytit. Zoti osht njo, edhe sa osht i jemi, osht edhe i tij.

Për me pas ni jetë ma t’rehatshme osht mirë me i nda kto tri shtylla: Zotin, fenë, edhe besimtarët. Nëse e beson Zotin, feja e besimi osht ashtu qysh t’doken ty ma s’miri. Nëse beson në një hyjni, diçka misterioze, t’fshehtë, apet nuk mundet me t’u perzi kërkush pse po beson ashtu. Fetë janë mënyra t’besimit t’Zotit, e mënyrat ndryshojnë. E njerëzit që e besojnë, i praktikojnë disa mënyra t’besimit. Shpesh nuk pajtohen me njoni-tjetrin.

Amo kërkush nuk ka drejtë me na imponu qysh me besu. Nuk ka nevojë me udhëzu kërkon.