“Jo me t’majtën Enissss.”

“S’pari çorapen e djathtë, Enis!”

“Ha me t’djathtën, Enis!”

Dhe kështu, tërë jetën Enisi, së paku deri në moshën madhore do të duhej tu bindej udhëzimeve dhe këshillave të më të vjetërve rreth tij – gjithçka të mirë duhej të bënte me dorën, këmbën, syrin, veshin, e vrimën e djathtë të hundës. E majta ishte e keqe.

Edhe në rast se i duhej të zgjidhte në një udhëkryq do të duhej të shkonte me të djathtën. Para hartimit, gjithnjë do të duhej të merrte lapsin në anën e djathtë. Edhe shokët më të preferuar i mbante në anën e djathtë. Në të majtë qëndronte Ismeti, e në të djathtë Gëzimi!

Gëzimin e donte më shumë. E shihte si një emër që reflektonte atë që duhej ta kishte në këtë jetë, dhe në tjetrën. Shpërblimin që do ta merrte për të qenë djalë i mirë. Djalë që gjithçka niste me të djathtën!

Megjithatë, që të shpëtonte pa mëkate ishte e pamundur. Mëkate ne kishim që nga momenti kur ishim lindur. Ne ishim të destinuar për të qenë mëkatarë. Pa marr parasysh sa do të bënte punë të mira, pa marr parasysh sa do të përhapte mirësi e dashuri, ai nuk do të kalonte urën e parajsës pa u prekur nga zjarri. Pa marr parasysh sa do të shkruante me dorën e djathtë.

Zoti e shihte dhe i shkruante mëkatet e tija, por ama edhe të mirat e tija. Këto të fundit në krahun e djathtë. Në engjëllin në anën e djathtë. Ndërkohë në anën e majtë kishte një engjëll që kohë pas kohe do të mbyllte sytë. Sikur në rastet kur Enisi harronte dhe e merrte një kafshatë buke me dorën e majtë. Apo kur me pahir në kutinë e tretë të lojës së pllakave nga katërshja e pesëshja me dy këmbët, kërcente me të majtën. Nuk i bënte nëse humbiste lojën, ai menjëherë kalonte në të djathtën.

Sepse e majta e keqe. E djathta më e mirë.

Dhe kështu që nga fëmijëria një adet shumë i natyrshëm shndërrohet në një mëkat që bën çdo ditë. Diçka që është e lindur. Dhe mos të flasim për gjërat tjera mëkatare që bëjmë të gjithë. Pa dallim feje, moshe, gjinie. Jemi në një botë mëkatare ku lart mbi ne qëndron një perëndi që mezi pret të na ndëshkojë.

Të na ndëshkoj ndonëse ka kontroll absolut mbi ne. Gjithçka është e programuar, por ekziston një autonomi e jona. Një autonomi që vjen në funksion vetëm në pozitat e pahijshme, kur bëjmë mëkate.

Çdo ditë kemi një mëkat të ri, një veprim që kemi bërë me vite, por që nga sot është mëkat. Sepse ashtu është, dhe nuk guxojmë të kërkojmë shpjegime. Nëse e bëjmë këtë, atëherë futemi në zonën mëkatare. Dhe këtë nuk e duam sepse, mëkatet. Zjarri. Djalli.

Në mbi shtatë miliardë njerëz të gjallë, dhe rreth një qind miliardë që konsiderohen se kanë vdekur, mund të gjejmë një ADN të ngjashme, por aspak të njëjtë. Dhe nga të shtatë miliardët kërkohet të jenë të bindshëm dhe të besojnë në vetëm një mënyrë absolute në diçka hyjnore, në komentimin e të cilës janë humbur një pjesë e konsiderueshme e jetëve, për shkak të mospajtimeve.

Mospajtimet nuk kanë ndalur. Janë aq të thella sa edhe dy binjakë gjejnë një vijë të ndryshme në besimin e tyre dhe veshin njëri-tjetrin me petkun e jobesimtarit. Krejt kjo me qëllim që të dalin sa më të pastër nga mëkatet dhe të ngjiten më lart në parajsë.

Edhe llajkat, e komentet kundërshtuese e pse jo edhe fyese edhe aty ku besimi përmendet vetëm në anashkalim, shërbejnë për të larë mëkate, e fituar shpërblimin e parajsës. Është bindje e këtillë.

Ama…

Zoti të cilin e komentojnë shumica e besimeve është i mirë bre.

Bajagi i mirë.

Është zor të gjejmë një Zot – i cili do të krijonte 107 miliardë njerëz dhe kushedi sa miliardë gjallesa tjera, dhe krejt kjo vetëm për të mbushur një kazan në një zjarr i cili vazhdon të ngrohet që nga krijimi i gjithçkaje.

Është e pakuptimtë.

Megjithatë si qenie njerëzore mesa duket jemi të prirë të arrijmë shpërblimin më të madh jo duke bërë gjëra të mira, por duke ekspozuar të këqijat tek të tjerët. Në një mënyrë kjo shpresojmë të na hedh në dritë neve si më të mirë se tjerët dhe të marrim shpërblimin më të madh.

Më shumë harxhojmë kohë në zbulimin e të metave e të këqijave tek të tjerët se sa tek bërja e të mirave për të tjerët.

Në themelet e besimeve, shumicës nga këto më të përhapurat, gjejmë në gjithsecilën ftesën për dashuri me të gjithë, pa dallim kombi, besimi, race, gjinie. Pa asnjëfarë dallimi.

Gjejmë thirrjen për dashuri edhe ndaj qenieve jo-njerëzore – kafshëve, bimëve, e edhe proceseve tjera natyrore që në një mënyrë a tjetrën janë të lidhura me jetën. Por, injorojmë këtë, dhe ia dalim të gjejmë hapësira për të shpallur urdhrat që mbushin egot tona që kalojnë çdo lloj mizorie që mund të gjejmë në natyrën përreth.

Zoti është i dashurisë.

Zoti nuk është i frikës.

Dhe një dashuri nga frika, nuk është dashuri e sinqertë. Këtë e preferojmë, pasi është një formë më e mirë sundimi, nënshtrimi. Por, ky është problem i egos. Mashtrimi i vetvetes që jemi të dashuruar nga të tjerët. Tekefundit edhe frika kur mungon dashuria është diçka që përsëri kënaq atë ego vetëm sipërfaqësisht.

Thellë në zemër, kur kuptoni që askush nuk ju do, ndjeheni të zhgënjyer. Ngjashëm sikur kur kuptoni që nuk doni as Zotin tuaj.

Një Zot do të kërkonte dashurinë nga çdonjëri, për çdonjërin, e edhe për Zotin.

Pa marr parasysh se me cilën dorë, këmbë, vesh, sy, e vrimë të hundës përhapni dashuri e mirësi, Zoti s’do të na merrte gabim. Jo derisa kjo do të ishte dashuri.

Zoti është i së mirës. Zoti është i zemrës. Zoti është i dashurisë.

Zoti është dashuri.